Lajme

Ish-zëvendëskryeministrja malazeze: Milatoviç vizitën e dytë jashtë vendit duhet ta realizojë në Kosovë


Jovana Maroviç

Ish-zëvendëskryeministrja e Malit të Zi, Jovana Maroviç, në një intervistë për “Radio Evropa e Lirë“, tha se Presidenti i ri, Jakov Milatoviç, duhet ta vizitoj sa më shpejt Kosovën, në mënyrë që të hiqen të gjitha dyshimet se Mali i Zi s’e vë në pikëpyetje njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Zgjedhja e Kosovës për vizitën e tij të dytë – pas Brukselit – do të nënkuptonte se duan të kultivojnë marrëdhënie të mira me të gjithë fqinjët, që në fund do të konfirmonte atë që edhe presidenti e tha menjëherë pas votimit – se s’ka ndryshime në politikën e jashtme”, tha Maroviç.

Ishte kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili në një intervistë të tij, shprehu një shqetësim të thellë për rezultatet e zgjedhjeve presidenciale në Mal të Zi, të cilat i fitoi kreu i Lëvizjes “Evropa Tani”, një politikan me orientim liberal, por që mori mbështetje edhe nga partitë pro-serbe dhe pro-ruse.

“Uroj të mos ndodh kësisoj dhe uroj që këta kandidatë që neve po na duken pro-rus dhe pro-serb të mos jenë të tillë, mirëpo kemi tepër indikacione e shpesh herë edhe fakte se është ashtu. Këtë të diele do t’i përcjell me shumë vëmendje dhe ethe zgjedhjet në Mal të Zi si asnjëherë më parë”, tha Kurti.

Megjithatë, në një intervistë për gazetën opozitare serbe “Nova”, presidenti i ri i Malit të Zi, u pyet edhe rreth Kosovës. Pavarësia e Kosovës, pohoi ai, është fakt i padiskutueshëm – kjo është krejt e qartë, u kujdes të sqaronte ai.

“Nuk është realiste të pritet që ta çnjohim Kosovën. Ne mbështesin çdo gjë për të cilën Beogradi dhe Prishtina pajtohen dhe normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet tyre do të ishte tejet i rëndësishëm për rajonin. Mali i Zi dëshiron të jetë fqinj i mirë”, tha Milatoviç.

Presidentja Vjosa Osmani, me ftesë të autoriteteve shtetërore të Malit të Zi, krahas presidentëve të rajonit, të shtunën mori pjesë në ceremoninë e inaugurimit të presidentit të ri, ndërsa ka potencuar se marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve janë të ndërtuara mbi vlerat e përbashkëta demokratike.

“Përcaktimi i qartë i popullit tonë për të ardhmen tonë të përbashkët euroatlantike nënkupton domosdoshmërinë që të vazhdojmë të ndërtojmë bashkëpunimin tonë të fortë dhe të mbrojmë vlerat që ndajmë dhe për të cilat kemi luftuar shumë për t’i ndërtuar dhe ruajtur”, tha Osmani.

Fronti Demokratik pro-rus dhe pro-serb, i cili ka pushtet absolut në Komunën e Zetës – komuna më e re në Mal të Zi – mori rishtas një vendim për miratimin e një deklarate, me të cilën, siç thanë ata, njohja e pavarësisë së Kosovës nuk do të vlejë në atë territor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore