Lajme

Ish-paramilitari serb nga grupi “Çakallët” dëshmon në gjykatë për masakrat në fshatrat e Kosovës


Zoran Raskovic, deshmitar i mbrojtur, ish-pjestar i grupit paramilitar serb

Predrag “Madzo” Vukoviç ishte në mesin e paramilitarëve serbë që kishin vrarë një grup të civilëve shqiptarë në luftën e fundit në fshatin Qyshk të Pejës në maj të vitit 1999, ka thënë bashkëluftëtari i tij Zoran Raskoviç, i cili dëshmoi në Gjykatën e Lartë në Beograd.

Ai ka dëshmuar se ata ishin bashkë edhe në një masakër tjetër të kryer në Kosovë, atë në fshatin Lybeniq.

“Më kujtohet Vukoviç që ishte në aksion me ne”, ka deklaruar ai.

Raskoviç ka deklaruar edhe se Vukoviç, bashkë me dy paramilitarë të tjerë, Ranko Momiç dhe Nikoliç Milojko, kanë marrë një grup prej 15 deri 20 persona, i kanë futur në një shtëpi që ishte në ndërtim e sipër dhe i kanë qëlluar për vdekje.

“Dëgjova të shtëna, nuk e di nga një apo dy armë, megjithatë nuk e kam parë direkt duke shtënë Vukoviç-in”, tha Raskoviç.

Vukoviç është një nga 11 anëtarët e grupit “Çakallët” që po akuzohet për krime luftë në Kosovë, në fshatrat Zahaq, Qyshk dhe Lybeniq në maj të vitit 1999.

Aktakuza thotë se ata kanë vrarë së paku 118 civilë shqiptarë.

Ai ishte arrestuar në vitin 2018 dhe u paraqitë në gjykatë për herë të parë në nëntor të vitit 2019 shkruan gazetarja serbe Milica Stojanoviç për Balkan Insight.

Vukoviç është i akuzuar veçanërisht për vrasjet dhe masakrat në Lybeniq dhe Qyshk.

Raskoviç, që është edhe ky ish-anëtarë i grupit paramilitar “Çakallët” është një nga dëshmitarët kryesor të prokurorisë.

Kjo ishte hera e 11 që dëshmojë për këtë rast.

Raskoviç i kishte treguar gjykatës se ai grupi ku takonte edhe ai kishin ekzekutuar rreth 60 burra në fshatin Lybeniq me 1 prill, 1999 dhe kishte folur për krimet në fshatin Qyshk.

Në fillim ishte menduar që ai do të dëshmonte si dëshmitar anonim, por për herë të parë në histori të gjykatave në Serbi, ai kishte vendosur që të dëshmonte me identitet publik për të treguar siç kishte thënë “të vërtetën për horronin që ka ndodhur në Kosovë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore