Lajme

Ish-analisti i CIA-s: Negociatat e vështira s’kanë ardhur ende, mbetet çështje kritike themelimi i Asociacionit


David Kanin

Për profesorin e Universitetit Johns Hopkins dhe ish-analistin e lartë të CIA-s për Ballkanin dhe Evropën, David Kanin, asgjë thelbësore nuk është zgjidhur në takimin e së hënës mes kryeministrit të Kosovës dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

“Por negociatat e vështira nuk kanë ardhur ende dhe aty do të jetë ose nuk do të jetë marrëveshja. Ky është thjesht një hap paraprak përpara drejt asaj që ata (Perëndimi) shpresojnë se do të jetë një marrëdhënie praktike mes dy palëve”, tha Kanin për Zërin e Amerikës.

Kanin theksoi se dokumenti për të cilin kanë rënë dakord kryeministri Kurti dhe presidenti Vuçiç nuk e zgjidh çështjen e statusit të Kosovës dhe se prova e vërtetë do të jetë nëse pesë shtetet e Bashkimit Evropian që nuk e kanë njohur Kosovën do të lëvizin nga qëndrimi i tyre.

“Prova e vërtetë e gjithë kësaj do të jetë nëse pesë anëtarët e BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën deri më tani, do të shohin në këtë tekst dhe në diplomacinë tani e tutje, një bazë për ndryshimin e qëndrimeve të tyre dhe ta njohin Kosovën. Nëse kjo nuk ndodh, atëherë është e diskutueshme se sa e rëndësishme është gjithë kjo”, tha ai.

Pika më e ndjeshme e zbatimit është pikërisht Asociacioni i Komunave me shumicë serbe dhe Kanin theksoi se fakti që Asociacioni nuk përmendet ekskluzivisht por ajo është pika më kritike, e bën të mendojë se ky dokument nuk është më i rëndësishmi.

“Kemi ende një rrugë të gjatë për të bërë para se të kemi një marrëveshje, dhe ajo qëndron tek aneksi i zbatimit, aty është marrëveshja. Kjo është thjesht një marrëveshje për t’u përpjekur për të arritur një marrëveshje”, nënvizoi ai.

Madje ai shtoi se edhe qëndrimet e Kryeministrit Kurti pas takimit se ishte gati të nënshkruante marrëveshjen, dhe të presidentit Vuçiç se nuk ishte gati ta bënte këtë, duke e vënë theksin tek Asociacioni, tregojnë se gjendja në thelb mbetet e njëjtë.

“Ata kështu kanë folur edhe më parë: Serbia ka këmbëngulur për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, ndërsa Kurti ka thënë se kjo nuk është prioritet. Ata kanë prioritete të ndryshme dhe qëndrime të ndryshme. Kjo nuk ka ndryshuar”, potencoi ai.

“Janë negociata ngurruese mes dy palëve që nuk i besojnë njëra-tjetrës, por që po detyrohen nga Perëndimi të arrijnë në një lloj marrëveshjeje”, theksoi ai, duke shtuar se nuk beson që do të ketë një zgjidhje të shpejtë për statusin.

Propozimi evropian që fillimisht u prezantua si “plan fillestar”, pastaj si dokument i modelit “merre ose lëre”, tani ka marrë konturat e një Marrëveshjeje Ndërkombëtare duke u ripagëzuar “Marrëveshja për rrugën e normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë”.

Për herë të parë është zbuluar edhe zyrtarisht përmbajtja e marrëveshjes i cili parasheh të drejta të barabarta për Kosovën dhe Serbinë, respektim të integritetit territorial, paprekshmëri të kufijve, njohje të simboleve shtetërore e çka jo tjetër.

Por, në asnjërën nga 11 nenet e saj nuk parashihet njohja reciproke mes Kosovës dhe Serbisë, por kosovarëve përveç themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe iu kërkohet që së bashku me serbët ta formalizojnë statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore