Lajme

Ish-ambasadori Hysa për provokimet e tifozëve: Huliganët dhe provokimet në fushë s’janë pasqyrë e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Malit të Zi


Ylber Hysa

Ish-ambasadori i Kosovës në Mal të Zi, Ylber Hysa, ka komentuar për mediumin malazez, Antena M, ngjarjen e mbrëmshme në Prishtinë, ku në ndeshjen futbollistike mes Llapit dhe Budoçnostit është shfaqur harta e Malit të Zi me një pjesë të grisur.

“Imazh totalisht i panevojshëm, budalla dhe i shëmtuar nga stadiumet tona. Së pari, ‘Barbarët’ (tifogrupi i Budoçnostit|) në ndeshjen e Podgoricës si nikoqirë i kënduan ekipit kosovar himnin serb. Mbrëmë tifozët e Llapit i pritën me një provokim të shëmtuar me hartë. Ishin mediat serbe që raportuan me entuziazëm për të dyja ngjarjet fatkeqe”, ”, deklaroi Hysa.

Megjithatë, ish-ambasadori ka pohuar se “as ajo që ndodhi në Podgoricë e as ajo që ndodhi në Prishtinë, nuk është pasqyrë dhe situatë e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi”.

“Përkundrazi, ato marrëdhënie janë krejtësisht e kundërta e huliganizmit dhe provokimeve të këtyre dy lojërave”.

“Nuk duhet të jemi viktima të huliganizmit dhe provokimeve të ulëta as në terrene sportive, as jashtë saj”.

“Kosova dhe Mali i Zi kanë shembuj të ndritur të të respektit si nga e kaluara ashtu edhe nga e tashmja, që nga Marko Miljanov te Radovan Zogoviç, Azem Shkreli, Esad Mekuli etj…”, ka deklaruar Hysa për Antena M.

Llapi vs Budocnosti

Ndeshja në mes të Llapit e Budoçnostit që ishte në kuadër të UEFA Europa Conference League ka përfunduar me rezultat të barabartë 2-2.

Gjithsesi, ky ishte fundi i aventurës për llapjanët, pasi kjo ishte loja e kthimit dhe në atë të parën, në Podgoricë, ishte Budoçnosti që nxori rezultat 2-0.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore