Aplikacione

Irlanda i afrohet vendimit mbi transferimin BE-SHBA të të dhënave të Facebook-ut


Në Irlandë, mbikëqyrësi i të dhënave pret të konsultohet me rregullatorët e tjerë të Bashkimit Evropian (BE) në prill për hetimin e tij mbi transferimet e të dhënave të Facebook-ut.

Kjo i referohet një vendimi, i cili mund të dëmtojë biznesin transatlantik nëse ndalon rrjedhën e të dhënave nga BE-ja në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Agjencia e lajmeve “Reuters” tregon se, në vitin 2020, gjykata më e lartë e Evropës ka vendosur që një marrëveshje BE-SHBA e transferimit të të dhënave ishte e pavlefshme.

Masa nxiti Komisionin për Mbrojtjen e të Dhënave të Irlandës (DPC) të lëshojë një urdhër të përkohshëm, sipas të cilit mekanizmi që Facebook përdor për të transferuar të dhëna nga përdoruesit e BE-së në SHBA “nuk mund të vihet në praktikë”.

Sakaq, Facebook-u ka paralajmëruar se një ndalim mund të ketë pasoja “shkatërruese” për biznesin e vet, i cili mbështetet në përpunimin e të dhënave të përdoruesve për të shërbyer reklama të synuara në internet.

DPC-ja, që është rregullatori kryesor i BE-së, e ka nxjerrë ​​vendimin paraprak të rishikuar të hënën, të cilin kompania mëmë e Facebook-ut, Meta, ka 28 ditë afat për t’iu përgjigjur.

Referuar rregullave të BE-së për mbrojtjen e të dhënave, DPC-ja duhet ta ndajë vendimin me të gjitha autoritetet mbikëqyrëse të BE-së dhe të marrë parasysh pikëpamjet e tyre përpara se të nxjerrë një vendim përfundimtar.

Një zëdhënës i Meta-s ka konfirmuar se e ka marrë versionin e rishikuar.

“Pezullimi i transfertave të të dhënave do të ishte i dëmshëm jo vetëm për miliona njerëz dhe biznese në BE që përdorin shërbimet tona, por edhe për mijëra kompani të tjera që mbështeten në transferimet e të dhënave BE-SHBA për të ofruar një shërbim global”, ka thënë ajo.

Gjithashtu ka shtuar se “një zgjidhje afatgjatë për transferimet e të dhënave BE-SHBA është e nevojshme për të mbajtur njerëzit, bizneset dhe ekonomitë të lidhura”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore