Lajme

Irani kritikon Shqipërinë për shkeljen “e supozuar” e të drejtave të diplomatëve


Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Nasser Kanaani, deklaroi se raportimet për sjellje të pahijshme të autoriteteve lokale në Tiranë në trajtimin e diplomatëve iranianë kanë shkaktuar shqetësim tek zyrtarët iranianë.

Lajmi u bë i ditur nga agjencia shtetërore iraniane “IRNA”.

“Nëse raportimet janë të vërteta, sjellja e tyre ka qenë në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe me Konventën e Vjenës për të drejtat diplomatike, ndaj qeveria shqiptare do të mbajë përgjegjësi për shkeljen e këtyre rregulloreve”, paralajmëroi Kanaani.

Ministria e Jashtme iraniane hodhi poshtë më herët “pretendimet e paprovuara kundër Republikës Islamike”.

Kjo, duke nënvizuar se rolet e luajtura nga palët e treta, të cilët ngritën disa akuza kundër Teheranit, tregojnë se shtete të caktuara që sponsorizojnë terrorizmin fshihen pas kësaj mosmarrëveshjeje.

Njësia anti-eksploziv e forcave speciale “RENEA” përfundoi të enjten e shtatorit aksionin rutinë të nisur në ambientet e ambasadës iraniane.

Operacioni u bë për të krijuar një perimetër sigurie në këtë hapësirë.

Procedura rutinë u zhvillua para hyrjes së agjentëve të Antiterrorit për të përmbyllur inventarin e zyrave të ambasadës.

Agjencia “Associated Press” konfirmoi më herët se nuk kishte asnjë personel të mbetur nga misioni diplomatik iranian në ambasadë.

Diplomatët iranianë dogjën gjatë orëve të para të 8 shtatorit dokumentet, disa orë përpara se të largoheshin nga vendi.

Kjo, pasi Shqipëria ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Iranin, duke akuzuar Republikën Islamike për një sulm kibernetik në muajin korrik.

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama deklaroi të mërkurën e 7 shtatorit se kishte urdhëruar diplomatët dhe stafin iranian të mbyllnin ambasadën dhe të largoheshin nga vendi brenda 24 orëve.

Rama tha se sulmi kibernetik i korrikut ka “kërcënuar të paralizojë shërbimet publike, të fshijë sistemet dixhitale dhe të hakojë të dhënat shtetërore, të vjedhë komunikimin elektronik të qeverisë në intranet dhe të shkaktojë kaos dhe pasiguri në vend”.

Washington-i, aleati më i afërt i Shqipërisë, fajësoi gjithashtu Iranin për sulmin dhe premtoi “të ndërmarrë veprime të mëtejshme për ta mbajtur Iranin përgjegjës për veprimet që kërcënojnë sigurinë e një aleati të SHBA-ve”.

Këshilli i Atlantikut të Veriut la të hapur mundësinë që aleanca mund të marrë në konsideratë “përgjigjen e mundshme kolektive” ndaj Iranit.

Mbrojtja kolektive, të cilit i referohet NATO në këtë rast, do të thotë që një sulm kundër një aleati konsiderohet si një sulm ndaj të gjithë aleatëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore