Lajme

Irani do të rikthehet në tryezën bërthamore me SHBA-të


Teherani zyrtar është gati të rikthehet në bisedime për tryezën bërthamore me SHBA-të, pas një shkëputje të gjatë, sipas ministrit të Jashtëm iranian, Hossein Amir-Abdollahian.

Rifillimi i negociatave madje, mund të jetë çështje ditësh mes dy shteteve, ku ndërmjetësuese do të jenë vendet e Bashkimit Evropian.

“Ju konfirmoj se jemi gati të rifillojmë negociatat pas disa ditësh”, deklaroi Hosseini pas një takimi me përfaqësuesin e lartë evropian, Josep Borrell, në Teheran.

Vetë Abdollahian, e ka bërë një deklaratë të ngjashme në shtator 2021, kur tha se do të kishte rikthim të bisedimeve me SHBA-të, për sa i përket marrëveshjes bërthamore.

Mirëpo, asokohe, ai e saktësoi se koncepti i Iranit për “së shpejti”, ndryshonte nga koncepti i SHBA-ve.

Këtë gjë ndërkaq, nuk e ka bërë tani shefi i diplomacisë iraniane, pasi e ka saktësuar se do të jetë çështje ditësh, në fjalën e tij.

Vetë evropianët, kanë kërkuar të ndërmjetësojnë bisedimet duke konkretizuar kthimin në termat e marrëveshjes së vitit 2015.

Kjo e fundit, është revokuar me ardhjen në pushtet të Donald Trump, i cili e zhbëri marrëveshjen dhe tensionoi raportet me Iranin në nivele historike.

Trump i tërhoqi SHBA-të në vitin 2018 nga ujdia dhe rivendosi sanksionet ndaj Iranit, të cilat Washington-i kishte hequr si pjesë e marrëveshje të 2015-ës.

Teherani veproi po njësoj.

Më pas, me ardhjen në pushtet të Joe Biden, u kërkua shumë herë ulja në tryezë me Iranin.

Mirëpo, asnjëherë, nuk u gjet gjuha e përbashkët për të nisur zyrtarisht bisedimet kokë më kokë mes palëve.

Më pas, Teherani filloi të ushtronte aktivitet duke e pasuruar uraniumin që prodhon dhe duke e çuar në nivele deri në 20%, të cilat rritën frikën ndërkombëtare se vendi i Lindjes së Mesme mund të tentojë prodhimin e armëve bërthamore.

Prej asaj kohe, BE-ja ka pasur përpjekje të pasuksesshme ndërmjetësimi.

Tashmë, pritet se si do të mund të zhvillohet ky raund i ri bisedimesh.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore