Lajme

Irani do të furnizojë fuqishëm Rusinë me armë luftarake


Një premtim i Teheranit ndaj Rusisë, është ai për të furnizuar Moskën me raketa të shumëllojshme, dronë ushtarakë dhe silurë, e konfirmuar kjo nga dy zyrtarë të lartë iranianë dhe dy diplomatë, për agjencinë e lajmeve Reuters.

Një lëvizje kjo, e cila gjasat janë të shkaktojë zemërim të madh tek ndërkombëtarët. Mbi të gjitha, tek SHBA-të.

Zëvendëspresidenti i parë i Iranit, Mohammad Mokhber, ka thënë për Reuters se më 6 tetor është arritur një marrëveshje mes dy vendeve.

Dy zyrtarë të lartë të Gardës Revolucionare iraniane dhe një tjetër, anëtar i Këshillit Suprem për Sigurinë Kombëtare në Teheran, kanë udhëtuar drejt Moskës në mënyrë të fshehtë në atë, për të ndërmarrë akordin e dorëzimit të armëve.

“Rusët kërkuan më shumë dronë dhe raketat balistike të Iranit, me saktësi të përmirësuar. Mbi të gjitha, kërkuan raketa të modeleve Fateh dhe Zolfaghar”, theksoi nga ana tjetër një diplomat iranian për Reuters.

Një tjetër zyrtar perëndimor ndërkohë, e ka vërtetuar lajmin, duke thënë se akordi mes dy vendeve është i arritur dhe do të ketë dërgim të raketave balistike, përfshi ato Zolfaghar, në Moskë.

Kjo do të jetë ndihma më e madhe që i jepet Kremlinit në këto çaste kritike lufte, kur Ukraina po furnizohet me sa është e mundur me mjete luftarake nga aleatët e NATO-s, për të përballuar sulmet ruse.

Teksa, mes tensionesh të shtuara, pritet të ketë edhe reagime të ashpra nga Perëndimi kundrejt Iranit, parë edhe lëvizjen e fundit të regjimit atje.

Gjithë kjo, ndodh në një kohë kur Teherani po zien nga protestat e shumta, pas vrasjes së 22-vjeçare Mahsa Amini, nga “Policia e Moralit” atje, për shkak të mbajtjes në mënyrë jo korrekte të shamisë.

Prej demonstratave, dhjetëra të tjerë kanë mbetur të vdekur dhe vendi, është kthyer në një mjedis potencial për rrëzimin e shtetit, mbi të gjitha pas zjarrit të rënë në burgun e Evinit, ku tetë persona mbetën të vdekur, mes të cilëve opozitarë të regjimit të Ayatollah Ali Khomeneit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore