Kosova

IPI: Presioni politik ndaj gazetarëve rrezikon të minojë përparimin e lirisë së mediave në Kosovë


Partnerët e Platformës për Sigurinë e Gazetarëve të Këshillit të Evropës gjatë vizitës dy ditore në Kosovë kanë publikuar gjetjet e tyre mbi lirinë e mediave dhe sigurinë e gazetarëve në Kosovë.

IPI paralajmërojnë se qeveria aktuale e Kosovës ka bërë përparim të rëndësishëm në depolitizimin e transmetuesit publik, organeve rregullatore dhe kuadrit legjislativ për mjedisin mediatik.

Por, retorika toksike dhe fushatat e shpifjeve kundër medias, financimi i pamjaftueshëm i transmetuesit publik dhe mungesa e transparenca rrezikon të minojë progresin.

“Pavarësisht progresit të rëndësishëm në këto fusha, siguria e gazetarëve dhe mosndëshkimi për krimet kundër gazetarëve vazhdojnë të paraqesin sfida për peizazhin e përgjithshëm të lirisë së medias. Përderisa sulmet fizike mbeten të rralla, kërcënimet serioze janë dokumentuar vitin e fundit nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës. Procesi gjyqësor në çështjet penale dhe civile mbetet i ngadaltë dhe gazetarët shprehën shqetësimin për mungesën e ndjekjeve penale”.

Po ashtu sipas IPI-së, përfaqësuesit e medias vunë në dukje si një shqetësim të veçantë se retorika përçarëse dhe fushatat shpifëse të drejtuara ndaj gazetarëve nga disa politikanë dhe zyrtarë publikë, përfshirë nga partia qeverisëse, po krijon një klimë në rritje armiqësie kundër medias.

“Ata thanë se këto sulme verbale dhe përpjekje nga figurat politike për të përçarë komunitetin gazetaresk, ose për të portretizuar media të caktuara si aktorë politikë, mund të çojnë në kërcënime, ngacmime në internet dhe dhunë fizike”.

Ndërsa siguria e të gjithë gazetarëve që raportojnë për zhvillimet në veri të Kosovës është një fushë me shqetësim serioz.

“Qasja në dokumente dhe informacione në gjuhën serbe është sfiduese. Mosndëshkimi i rrënjosur për gazetarët e zhdukur dhe të vrarë midis 1998 dhe 2005 duhet të trajtohet. Ndërsa delegacioni dëgjoi angazhimet e nivelit të lartë nga prokuroria për vazhdimin e këtyre hetimeve, nuk u paraqit asnjë provë për përparim domethënës në këto raste”.

Si sfidë për gazetarët është evidentuar përkeqësimi i klimës për transparencë dhe akses në informacion në qeverinë aktuale.

“Gazetarët vunë re në veçanti mungesën e opsioneve për komunikim me zyrtarët ose aftësinë për të pyetur rregullisht ministrat dhe kryeministrin në konferencat për shtyp. Palët e interesuara të medias përshkruan gjithashtu mungesën e vullnetit politik për të nxitur një klimë të qeverisjes transparente në lidhje me median”.

Megjithatë, IPI, vlerëson se Kosova në përgjithësi vazhdon të ketë një mjedis mediatik të gjallë dhe pluralist.

“Vitet e fundit është bërë përparim i rëndësishëm në forcimin e kuadrit ligjor, i cili është kryesisht në përputhje me standardet evropiane dhe ndërkombëtare dhe përmban garanci të forta kushtetuese”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore