Lajme

Intervistë me ambasadorin e Suedisë Jonas Westerlund: Keni avancuar jashtëzakonisht shumë, Kosova është ndërtuar


Në shtator të vitit 2022, Jonas Westerlund, u rikthye në Prishtinë për t’u zyrtarizuar si ambasador i Suedisë, 23 vjet prejse ishte larguar nga Prishtina ku ishte i angazhuar në misionin e OSBE-së.

Dy dekada pas, në sytë e diplomatit suedez, Kosova ka avancuar jashtëzakonisht shumë, por thotë se ka edhe pjesë të vendit ku “erërat e ndryshimit” ende nuk kanë arritur.

“Rrokaqiejt po ngrihen në çdo cep të qytetit. Qendrat tregtare janë sot një tipar i zakonshëm dhe rrugët janë të mbushura me kafene. Duke dalë jashtë Prishtinës, shohim autostradat të sapondërtuara nëpër Kosovë”, thotë Westerlund në një intervistë për Albanian Post.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund

Në llupën e ambasadorit suedez që ka pasur pozita të rëndësishme diplomatike edhe në Lindje të Mesme dhe në Afrikë, Kosova ka potencial të rëndësishëm për një të ardhme “të begatë” brenda BE-së, por fillimisht duhet t’i jap përparësi një marrëveshjeje përfundimtare të normalizimit me Serbinë dhe t’i përmbahet angazhimeve të saj të dialogut dhe zbatimit të marrëveshjes së Brukselit/Ohrit.

“Kosova mund të shfrytëzojë pozicionin e saj të favorshëm gjeografik për t’u bërë një qendër për teknologjinë dhe prodhimin në Evropë. Çdo konflikt i pazgjidhur ka një datë skadimi. Një ditë do të ketë një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë”, tha ai.

“Forcimi i kapaciteteve institucionale, përmirësimi i infrastrukturës dhe nxitja e një mjedisi miqësor ndaj biznesit do të tërheqë investime të huaja. Përqafimi i këtyre masave jo vetëm që do të përshpejtojë ndjeshëm shpejtësinë e procesit të zgjerimit, por edhe rritjen e ekonomisë së Kosovës”.

Intervista e plotë e ambasadorit të Suedisë në Kosovë, ambasadorin e Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund për Albanian Post:

Albanian Post: Kur erdhët në Kosovë si ambasador, Kosova nuk ishte një vend i panjohur për ju. Ju keni qenë edhe 23 vjet më parë kur si diplomat i ri u angazhuat në misionin e OSBE-së këtu. Një pjesë e politikës në Kosovë ka rrëfimin se Kosova është shkatërruar në 20 vjetët e fundit. Për ju që keni pasqyrë edhe të para 23 vjetësh edhe tani. Çfarë mendoni, a është shkatërruar, apo është ndërtuar Kosova në këto dy dekadat e fundit?

Westerlund: Prishtina dhe Kosova kanë avancuar jashtëzakonisht shumë që kur isha këtu 23 vjet më parë. Rrokaqiejt po ngrihen në çdo cep të qytetit. Qendrat tregtare janë sot një tipar i zakonshëm dhe rrugët janë të mbushura me kafene. Duke dalë jashtë Prishtinës, shohim autostradat të sapondërtuara nëpër Kosovë. Shumicën e fundjavave i kaloj në male, duke ecur apo çiklizëm, në varësi të disponimit tim.

Ndërsa Prishtina ka pësuar një transformim të jashtëzakonshëm, ka edhe pjesë të Kosovës ku erërat e ndryshimit ende nuk kanë arritur. Është e domosdoshme të adresohet ky stagnim për të siguruar zhvillim gjithëpërfshirës. Për shembull, në Mitrovicë, ishte shqetësuese të shëtisja nëpër urë 23 vjet më vonë, duke kuptuar se koha ka ndalur që kur u largova. Ura kryesore vazhdon të jetë e mbyllur dhe është evidente se sfidat vazhdojnë, duke penguar zhvillimin, integrimin dhe unitetin.

Si ambasador i Suedisë në Kosovë, jam i përkushtuar të punoj në bashkëpunim për të kapërcyer këto boshllëqe, duke nxitur mundësi të barabarta dhe përparim në të gjitha rajonet e Kosovës. Duke pranuar progresin që është bërë, por edhe sfidat e mbetura, ne mund të përpiqemi kolektivisht për një zhvillim gjithëpërfshirës që nuk lë prapa asnjë komunitet.

Albanian Post: Ju keni pasur pozita të rëndësishme diplomatike edhe në Lindje të Mesme, një tjetër rajon me turbulenca të shumta. Keni qenë gjithashtu edhe në Afrikë. Njihni kontekste dhe probleme të shumta nëpër botë. Ku qëndron Kosova në sytë tuaj – çfarë thotë e ardhmja?

Westerlund: Ka shumë konflikte në të gjithë globin që kanë ngecur në një zonë muzgu, as luftë as paqe. Më të prekurat janë gjithmonë popullatat që jetojnë në zonat e diskutueshme, shumë shpesh pa shtetësi, shërbime komunale dhe kujdes të duhur shëndetësor. Ekziston nevoja për të zhvilluar mjete më të mira për ndërmjetësimin e konflikteve për të zgjidhur konfliktet sot. Ka një hije të errët mbi Traktatin e Versajës në 1918 dhe krijesën e tij, Lidhjen e Kombeve. Por, Lidhja e Kombeve pati një numër historish të vogla suksesi, duke zgjidhur mosmarrëveshjet territoriale midis kombeve.

Shqipëria dhe Kosova kanë një pozicion të shkëlqyer gjeopolitik në Evropë. Sipas mendimit tim, Kosova ka potencial të rëndësishëm për një të ardhme të begatë brenda BE-së. Për ta arritur këtë, Kosova duhet t’i japë përparësi një marrëveshjeje përfundimtare të normalizimit me Serbinë, t’i përmbahet angazhimeve të saj të Dialogut dhe të angazhohet për zbatimin e plotë të të gjitha marrëveshjeve të kaluara të Dialogut. Zbatimi i të drejtave të pakicave është thelbësor, duke garantuar gjithëpërfshirjen dhe kohezionin social.

Kosova mund të shfrytëzojë pozicionin e saj të favorshëm gjeografik për t’u bërë një qendër për teknologjinë dhe prodhimin në Evropë. Forcimi i kapaciteteve institucionale, përmirësimi i infrastrukturës dhe nxitja e një mjedisi miqësor ndaj biznesit do të tërheqë investime të huaja. Përqafimi i këtyre masave jo vetëm që do të përshpejtojë ndjeshëm shpejtësinë e procesit të zgjerimit, por edhe rritjen e ekonomisë së Kosovës.

Albanian Post: Në videon prezantues për ardhjen tuaj, ju thoni se keni tri pasione për Kosovën dhe një prej tyre është integrimi i Kosovës në strukturat euro-atlantike dhe në Bashkimin Evropian. Për qytetarët e Kosovës, sidomos pas klimës së fundit, kjo është shndërruar në një ëndërr nga e cila po hiqet dorë, nga ideja e pamundësisë për t’u arritur. Kur Kosova do të jetë pjesë e këtyre strukturave? A keni një vizion se si do rrjedhin gjërat për të ardhmen?

Westerlund: Në fillim të muajit dhjetor, liderët nga Evropa dhe Ballkani Perëndimor u mblodhën në Bruksel për një samit. Samiti rikonfirmoi angazhimin e tij të plotë dhe të qartë ndaj perspektivës së anëtarësimit në Bashkimin Evropian të Ballkanit Perëndimor dhe thirrjes për një proces më të shpejtë të integrimit.

Që Kosova të sigurojë se mund të përparojë në rrugën e saj evropiane, Marrëveshja për Rrugën drejt Normalizimit dhe Aneksi i Zbatimit të saj si dhe të gjitha Marrëveshjet e kaluara duhet të zbatohen plotësisht.

Besoj se ky samit dhe samiti në Tiranë, ilustron një shtytje të ripërtërirë nga liderët në Evropë për t’u rifokusuar në Ballkanin Perëndimor dhe për të paraqitur qartë një rrugë drejt një anëtarësimi të ardhshëm. Vendimi për dhënien e liberalizimit të vizave për Kosovën nga 1 janari 2024 dhe Plani i ri i Rritjes për Ballkanin Perëndimor janë rezultat i këtyre përpjekjeve të ripërtërira.

Siç theksohet në raportin vjetor të Bashkimit Evropian “Raporti i Kosovës 2023”, Kosova ende duhet të rrisë ritmin e saj në zbatimin e një sërë reformave të brendshme. Kjo është një rrugë që duhet të udhëtojnë të gjithë të cilët aplikojnë për anëtarësim. Suedia bëri të njëjtën gjë në fillim të viteve 1990. Vlen të përmendet se Suedia fitoi akses në Tregun e Përbashkët të BE-së përpara se ne të bëheshim anëtarë të Bashkimit Evropian. Integrimi në Tregun e Përbashkët të BE-së ka qenë shtytësi kryesor i rritjes ekonomike për të gjitha vendet që janë anëtarësuar në BE.

Albanian Post: E njihni mirë edhe dialogun e Kosovës me Serbinë për normalizim të raporteve – kur do të kemi një marrëveshje formale mes këtyre dy shteteve – nëse do të kemi ndonjëherë?

Westerlund: Çdo konflikt i pazgjidhur ka një datë skadimi. Një ditë do të ketë një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, por së pari duhet të rreshtohen të gjithë yjet. Dialogu i vazhdueshëm i normalizimit ka ecur shumë përtej pritshmërive me marrëveshjen detyruese të pranverës së kaluar (Marrëveshja për Rrugën drejt Normalizimit dhe Aneksi i Zbatimit të saj). Normalizimi i marrëdhënieve është një kusht thelbësor në rrugën evropiane të të dyja palëve dhe ato rrezikojnë të humbasin mundësi të rëndësishme në mungesë të progresit.

Albanian Post: Siç besoj ju kujtohet, ju keni takuar me kryeministrin aktual të Kosovës, Albin Kurti, 23 vjet më parë, në verën e vitit 1998, kur ai me një grup tjetër kishte ardhur si student në Suedi në një konferencë. Si një mik i vjetër i Kurtit, cilat do të ishin këshillat tuaja politike e diplomatike për të, por edhe për klasën politike kosovare në përgjithësi?

Westerlund: Është një takim që ia vlen të përshkruhet edhe një herë. Në emër të Ministrisë së Punëve të Jashtme suedeze, si diplomat i ri më kishin ngarkuar të koordinoja një konferencë për Kosovën në Suedi gjatë verës së vitit 1998. Ky ishte një kontribut suedez në përpjekjen për të zgjidhur konfliktin me mjete paqësore. Albin Kurti mori pjesë në konferencë si udhëheqës studentor. Ai mbajti një fjalim të zjarrtë, duke avokuar për ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë. Mbaj mend që mendova se kjo ishte shumë naive. Mos harroni, nuk kishte oreks për këtë në Bashkësinë Ndërkombëtare gjatë verës së vitit 1998, gjysmë viti para Masakrës së Reçakut. Siç doli, isha unë ai që isha naiv.

Si shumë ambasadorë të tjerë në Prishtinë, unë kam një dialog të vazhdueshëm me Kryeministrin dhe ministra të tjerë për të përmirësuar marrëdhëniet ndërmjet kombeve tona. Unë zhvillojë dialog të barabartë e të gjallë edhe me shumë nga liderët e opozitës. Gjatë këtij viti isha i fokusuar në forcimin e marrëdhënieve tona tregtare dhe verën e kaluar u themelua një Odë Ekonomike Nordike në Prishtinë.

Albanian Post: Një nga dimensionet më të rëndësishme për zhvillim të demokracisë dhe mirëqenës është “besimi”. Besimi mes njerëzve, besimi mes njerëzve e politikanëve, besimi në institucione e të tjera. Marrë në përgjithësi, a e keni hasur këtë besim te kosovarët, apo të paktën a keni parë që po ndërtohet ky besim?

Westerlund: Jam plotësisht dakord se “besimi” luan një rregull kyç në ndërtimin e një shoqërie demokratike dhe të begatë. Pse Amerika e Veriut është më e suksesshme ekonomikisht se Amerika e Jugut? Pse Italia veriore ka qenë tradicionalisht më e begatë se Italia jugore? Shumë studiues do të argumentonin se përgjigja qëndron në angazhimin qytetar në ndërtimin e besimit në Amerikën e Veriut dhe në Italinë veriore.

Bazuar në përvojën time, ekziston një besim i fortë në mesin e kosovarëve. Kjo ka qenë e natyrshme pas dekadave të shtypjes, një kohë kur kosovarët mund të mbështeteshin vetëm në vullnetin e tyre kolektiv, jo në shtet, për t’u kujdesur për nevojat e tyre.

Megjithatë, ekziston nevoja për ndërtimin e besimit ndërmjet grupeve ndërkomunitare në Kosovë. Ballkani Perëndimor është rajon multietnik në të cilin duhet të mbrohen të gjitha të drejtat e pakicave. Ndërsa Bashkimi Evropian do të zgjerohet në Ballkanin Perëndimor në të ardhmen, kufijtë e brendshëm dhe kombësia do të luajnë një rol më pak të rëndësishëm për komunitetet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore