Shqipëria

Interpelancë për bazat e FA-ve, Peleshi: Nuk kam dhënë asnjë pronë me qira


Ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë, Niko Peleshi, të hënën e 30 majit u thirr në interpelancë nga deputeti demokrat Ferdinand Xhaferaj për dhënien me koncesion dhe qira të pronave të Forcave të Armatosura.

Xhaferaj, nga foltorja e Kuvendit të Shqipërisë, iu drejtua ministrit se pronat e Forcave të Armatosura të Shqipërisë, po jepen për projekte turistike.

Sipas deputetit, gjithçka ka nisur nga një VKM e vitit 2016 dhe 2017.

Duke iu përgjigjur deputetit, Peleshi theksoi se, që prej marrjes së detyrës si ministër i Mbrojtjes, nuk është dhënë asnjë pronë me qira apo privatizim.

Peleshi akuzoi opozitën se pronat janë privatizuar në kohën kur ata ishin në pushtet, para vitit 2013.

“Në Bazën Detare të Shëngjinit kanë pasur abuzime me pronat. Një pjesë e territorit të Bazës së Shëngjinit i është regjistruar privatit në 2009-ën”, tha Peleshi.

Ndërsa bëri të ditur se, prona e dhënë me qira në 2014-ën në Urën Vajgurore, nuk ka qenë në Planin e Përhapjes së Forcave të Armatosura.

“Qiramarrësi ka pasur detyrime për të realizuar investime, por kërkuam zgjidhjen e kësaj kontrate, pasi nuk është realizuar investimi”, u shpreh Peleshi.

Ndërsa Xhaferaj u ndal dhe te baza e Kuçovës, ku hodhi akuza se pjesë të bazës jepen me qira 1 euro ose shiten 8 euro metri katror.

Peleshi iu përgjigj se baza e Kuçovës është kthyer në një bazë taktike të NATO-s dhe është në ndërtim e sipër.

“Është një zhvillim dhe një ngjarje për sigurinë tonë kombëtare. Agresioni rus ka ndryshuar skemën e sigurisë. Sot që e kemi këtë bazë jemi krenarë dhe është arritje e kësaj kohe, arritje e kësaj qeverie që sot po e bën realitet”, iu përgjigj Peleshi.

Më 20 janar u çelën zyrtarisht punimet për ndërtimin e kësaj baze ajrore.

Ishte Peleshi, që më 9 dhjetor njoftoi se ishte firmosur nisja e punimeve për bazën ajrore të Kuçovës.

Peleshi e ka cilësuar këtë si projektin më madhor në fushën e zhvillimit infrastrukturor.

Për Peleshin, kjo tregon edhe një pikë të fortë të Shqipërisë, e denjë për të qenë aleate e NATO-s.

Sipas tij, ky është një zhvillim, mbi 50 milionë euro investim dhe punësim për të gjithë zonën përreth.

Kontributi i palës shqiptare shkon në rreth 10% të vlerës së përgjithshme të investimit në këtë bazë, e cila me investimin e NATO-s do të kthehet në një bazë taktike të dislokueshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore