Lajme

Integrimi i dështuar i Suedisë krijon ‘shoqëri paralele’, sipas kryeministres


Kryeministrja e Suedisë, Magdalena Andersson, ka deklaruar se vendi skandinav ka dështuar në integrimin e shumë nga emigrantët që janë vendosur atje gjatë 20 viteve të fundit, duke krijuar një komb të “shoqërive paralele që jetojnë në realitete të ndryshme”.

Ajo zbuloi edhe një sërë masash për të luftuar krimin e organizuar pas trazirave të dhunshme gjatë fundjavës së Pashkëve, ku mbetët më shumë se 100 policë të plagosur.

“Ndarja është lejuar të shkojë aq larg sa të kemi shoqëri paralele në Suedi”, tha ajo në një konferencë shtypi.

“Ne jetojmë në të njëjtin vend, por në realitete krejtësisht të ndryshme. Ne do të duhet të rivlerësojmë të vërtetat tona të mëparshme dhe të marrim vendime”.

Integrimi ka qenë “shumë i dobët, në të njëjtën kohë kur ne kemi përjetuar nivele shumë të konsiderueshme imigrimi”, shtoi Andersson.

“Shoqëria ka qenë shumë e dobët, burimet për policinë dhe shërbimet sociale kanë qenë shumë të dobëta”.

Numri i njerëzve që jetojnë në Suedi, që kanë lindur jashtë vendit, gjatë 20 viteve të fundit është dyfishuar në rreth 2 milionë, ose një e pesta e popullsisë.

Andersson tha se ishte “e rëndësishme për të parandaluar që më shumë fëmijë dhe të rinj të tërhiqen në krim”.

Ajo tha se synonte të prezantonte “borde të delikuencës rinore”, në të cilat shërbimet sociale dhe policia do të bashkëpunonin ngushtë, përveç vendosjes së mjeteve për të siguruar që të rinjtë të qëndronin në shkollë dhe jashtë rrugës.

Ministri i Drejtësisë dhe i Punëve të Brendshme, Morgan Johansson, përshkroi planet për t’i dhënë policisë kompetenca më të mëdha të mbikëqyrjes elektronike, për të lehtësuar shkëmbimin e informacionit ndërmjet autoriteteve dhe për t’u mohuar qëndrimin edhe njerëzve që nuk janë dënuar ende për një krim.

“Ajo që pamë, nuk ishin protesta politike”, tha Andersson për trazirat.

Trazirat shpërthyen pasi një provokator fanti-emigrant, politikani danezo-suedez Rasmus Paludan, kërcënoi të bënte një xhiro në vend duke djegur Kuranin. Policia u përlesh me grupe të rinjsh kryesisht të maskuar në disa qytete.

Dhjetëra njerëz u arrestuan pas tri ditësh trazirash në Norrköping, Linköping, Landskrona, Örebro, Malmö dhe kryeqytetin, Stokholm.

Një shkollë u dogj gjithashtu dhe 20 automjete policie u dëmtuan ose u shkatërruan.

Suedia ka shtrënguar rrënjësisht politikat e saj të imigracionit që kur ka marrë më shumë njerëz për frymë se çdo vend tjetër i BE-së gjatë krizës së migracionit të vitit 2015, dhe tani ka një nga politikat më kufizuese të bllokut së bashku me Danimarkën fqinje.

Marrë nga The Guardian, përshtatur për Albanian Post!

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore