Lajme

Infermierët në Kosovë të zhgënjyer me trajtimin e tyre


Sindikata e Punëtorëve Shëndetësorë nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK), ka bërë të ditur të premten se ka pranuar ankesa nga infermierët lidhur me disa urdhëresa të lëshuar nga drejtoria e SHKUK/QKUK-së.

Të njëjtit kanë thënë se ndihen të zhgënjyer me trajtimin e infermierëve në disa nga pikat e këtyre urdhëresave.

“Sindikata e Punëtorëve Shëndetësor të QKUK-së kërkon nga SHSKUK/ QKUK që detyrat shtesë që i’u ngarkohen infermierëve bazuar në këto urdhëresa siç janë: Ngarkimi me përgjegjësinë e furnizimit me barëra gjatë fundjavave, duke mos qenë detyrë dhe duke mos u kompensuar për këtë përgjegjësi, thirrja e mjekut për rastet e klinikës”.

“Edhe pse i njëjti do duhej të ishte në punë sipas kontratës dhe përgjegjësisë duke mos pasur nevojë për ftesë, evidentimi dhe monitorimi i palëve civile apo edhe largimi i tyre nga hapësirat e klinikave dhe mbajtja e evidencave të hyrje-daljeve nga dhomat e pacientëve, ku në fakt infermieri merr trajtim ndryshe sepse të njëjtën nuk janë të detyruar ta zbatojnë mjekët”, thuhet në reagim e tyre.

Të njëjtit konsiderojnë se këto punë dhe përgjegjësi indirekt e tjetërsojnë natyrën e veprimtarisë së infermierit.

“Presim që Drejtoria e SHSKUK/QKUK-së të reflektojë dhe të marrë në konsideratë këto kërkesa në mënyrë që t’iu shmangemi veprimeve dhe masave sindikale”, thuhet tutje në reagim.

Pagat e sektorit të Shëndetësisë në rajon

Gjatë vitit 2021, në Shqipëri janë rritur pagat e mjekëve deri në 40 për qind, duke arritur rreth 651 euro.

Sipas Federatës së Mjekëve Shqiptarë në Evropë, vitin e kaluar mbi 3 mijë mjekë janë larguar nga Shqipëria për të ushtruar profesionin e tyre në Evropë, rreth 1 mijë prej tyre numërohen në Gjermani.

Ministria e Shëndetësisë së Shqipërisë, ka bërë të ditur se për vitin e ardhshëm shëndetësia do të marrë pjesën më të madhe të parave nga buxheti, rreth 630 milionë euro.

Edhe në Maqedoninë e Veriut pagat e mjekëve kanë shënuar rritje mes 40 dhe 50 për qind në periudhën 2017-2020, pas përshkallëzimit të situatës epidemiologjike me COVID-19.

Paga e bazë e një mjeku specialist në muajin shkurt të vitit 2021 ka qenë rreth një mijë e 800 euro.

Përveç pagës bazë, mjekët specialistë marrin 300 deri në 400 euro në muaj për kujdestaritë gjatë fundjavave, festave shtetërore dhe turnetë e natës.

Nga Ministria e Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut, rritja e pagave ka ulur ndjeshëm edhe largimin e mjekëve specialistë nga vendi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore