Sport

Infantino kërkon armëpushim në Ukrainë gjatë kohës sa të zhvillohet Kupa e Botës


Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, i bëri thirrje Rusisë dhe Ukrainës që të mbajnë armëpushim për një muaj – kohë kjo kur do të zhvillohet Kupa e Botës.

Duke folur në samitin e grupit të vendeve më të industrializuara, G20, Infantino tha se Kupa e Botës siguron një “platformë unike” për paqe dhe unitet, sepse ngjarja do të ndiqet nga rreth 5 miliardë njerëz në televizion.

“Lutja ime për të gjithë ju është që të mbani armëpushim për një muaj, aq sa zgjat Kupa e Botës”, tha Infantino në Bali të Indonezisë.

“Ju jeni udhëheqësit botërorë. Ju e keni aftësinë të ndikoni në rrjedhën e historisë”, tha ai.

Kujtojmë që Kupa e Botës do të fillojë të dielën në Katar.

Ky vend është kritikuar së shumti, për shkak të shkeljeve të dyshuara të të drejtave të njeriut, sidomos të punëtorëve që kanë ndërtuar stadiumet.

Kreu i Komiteti Olimpik Ndërkombëtar, Thomas Bach, u ka bërë thirrjeve vendeve që t’i dërgojnë atletët në Katar, bazuar në meritat e tyre sportive, e jo në politikë.

“Ne kemi nevojë për pjesëmarrjen e të gjithë sportistëve që i pranojnë rregullat – edhe nëse vendet e tyre janë në konfrontim”, ka thënë Bach.

Organizata të ndryshme sportive ndërkombëtare kanë vendosur sanksione ndaj Rusisë dhe atletëve të saj, pas pushtimit të Ukrainës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore