Lajme

Indonezia miraton legjislacionin që ndalon marrëdhëniet seksuale jashtëmartesore


Në Indonezi, parlamenti ka miratuar legjislacionin që do të ndalojë marrëdhëniet seksuale jashtë martesore.

Për kritikët, ky veprim është një pengesë e madhe për të drejtat në vendin më të populluar mysliman në botë.

Pasi të nëntë partitë miratuan një rishikim gjithëpërfshirës të kodit ligjor, nënkryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Sufmi Dasco Ahmad, sinjalizoi se drafti ishte miratuar dhe se ishte “ligjor”.

Sakaq, ky rishikim është diskutuar atje me dekada.

Grupet e të drejtave kanë protestuar kundër amendamenteve, duke denoncuar një goditje ndaj lirive civile dhe lirive politike, si dhe një zhvendosje drejt fundamentalizmit, ku sekularizmi është i sanksionuar në kushtetutë.

Po ashtu kodi do të zbatohet edhe për vizitorët e huaj, gjë që mund të ketë një ndikim të madh në turizmin nga Australia, pasi ishulli Bali është një destinacion popullor për të rinjtë.

Një dispozitë në tekst, e cila duhet të nënshkruhet nga presidenti, thotë se kodi i ri do të zbatohet pas tre vjetësh.

Dhe disa nga nenet më të diskutueshme të kodit kriminalizojnë kryerjen e marrëdhënieve seksuale jashtëmartesore, si dhe bashkëjetesën e çifteve të pamartuara.

Kështu, bashkëjetesa e paligjshme do të dënohet maksimalisht me gjashtë muaj burgim dhe kryerja e marrëdhënieve seksuale jashtë martesës do të dënohet me një vit burg.

Ekziston gjithashtu frika se këto rregulla mund të kenë një ndikim të madh në komunitetin LGBTQ në Indonezi, ku martesat e të njëjtit seks janë të paligjshme.

Ndërkohë, grupet e të drejtave e kanë kritikuar legjislacionin si policim moral.

Rreth 100 njerëz protestuan kundër projektligjit të hënën dhe shpalosën një pankartë të verdhë që shkruante “refuzoni miratimin e rishikimit të kodit”, me disa demonstrues që hodhën petale lulesh mbi banderolën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore