Kosova

MPJ e Indisë, mediave: Mos na pyesni më, s’e kemi ndryshuar qëndrimin për Kosovën


Ilustrim

India nuk do ta ndryshojë qëndrimin në raport me shtetësinë e Kosovës.

Kështu të paktën ka deklaruar zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Indisë, Arindam Bagchi, duke konfirmuar se India nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës pasi më 4 nëntor në kryeqytetin e Indisë, New Dehli,  ishte hapur Zyra Ekonomike Tregtare Indi-Kosovë, e që e njëjta ishte cilësuar si njohje de facto e shtetësisë së Kosovës.

“Qëndrimi i Indisë për pavarësinë e Kosovës është i mirënjohur dhe nuk ka asnjë ndryshim në të”, ka deklaruar Bagchi pas insistimit të mediave në Indi, raporton All India Radio News në një cicërim në Twitter.

“Kjo përgjigje vjen pas kërkesës së mediave referuar raportimeve për hapjen e Zyrave të Ekonomisë Tregtare”, thuhet në njoftim.

Hapjen e Zyrës Ekonomike Tregtare, Indi-Kosovë, e kishte bërë të ditur përmes një postimi në Facebook. Ambasada e Kosovës në Bangladesh, përkatësisht ambasadori, Gyner Ureja.

“Ne mirëpresim dhe mbështesim iniciativat e bazuara në bashkëpunim dhe rezultate konkrete”, kishte shkruar ambasadori.

Në kumtesë, shprehej bindja se Zyra Ekonomike Tregtare do të bëjë përpjekje të konsiderueshme për zgjerimin e bashkëpunimit tregtar dhe ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Indisë.

Njohja e fundit e shtetësisë së Kosovës ka ardhur nga Izraeli, si derivat i marrëveshjes së nënshkruar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë më 4 shtator në Uashington nën patronazhin e ish-presidentit të SHBA-ve, Donald Trump.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore