Lajme

India ndalon eksportin e orizit për të frenuar rritjen e çmimeve


India e ka nxjerrë jashtë ligjit eksportin e orizit të bardhë jo basmati në një përpjekje për të shmangur rritjet e mundshme të çmimeve të brendshme.

Shirat e dendur kanë dëmtuar të korrat në vend dhe çmimet e orizit janë rritur me më shumë se 11% gjatë 12 muajve të fundit.

Kokrrat e bardha jo basmati aktualisht përbëjnë rreth një të katërtën e eksporteve të orizit të Indisë, ka njoftuar Ministria e Çështjeve të Konsumatorit.

Ekspertët paralajmëruan se masa mund të rrisë çmimet globale të ushqimeve.

“Është e drejtë të thuhet se kjo do të ketë mjaft ndikim në çmimet globale të ushqimit”, ka thënë Emma Wall, kreu i analizës dhe kërkimit të investimeve në Hargreaves Lansdown.

Tanimë furnizimet ushqimore janë nën presion, pas tërheqjes së Rusisë këtë javë nga një marrëveshje që garanton kalimin e sigurt të grurit ukrainas.

India është eksportuesi më i madh në botë i orizit, duke përbërë më shumë se 40% të dërgesave globale.

Dhe orizi jo basmati eksportohet kryesisht në vendet e Azisë dhe Afrikës.

Vitin e kaluar, qeveria indiane vendosi një taksë eksporti prej 20% në përpjekje për të dekurajuar shitjet e huaja. Gjithashtu ka kufizuar dërgesat e grurit dhe sheqerit.

Por eksportimi mund të jetë më fitimprurës për fermerët indianë sesa shitja brenda vendit.

Qeveria ka bërë me dije se fermerët do të jenë ende në gjendje të eksportojnë lloje të tjera orizi, duke përfshirë basmati me kokërr të gjatë, duke u siguruar që “të marrin përfitimin e çmimeve shpërblyese në tregun ndërkombëtar”.

Po ashtu shteti do të shqyrtojë kërkesat për të lejuar dërgesat në vende të tjera bazuar në nevojat e sigurisë ushqimore, ka thënë Drejtoria e Përgjithshme e Tregtisë së Jashtme.

Pushtimi i Ukrainës vitin e kaluar bëri që çmimet globale të ushqimeve të rriten.

Teksa këto presione që atëherë janë zbutur në nivel ndërkombëtar, në Indi, moti i keq ka dëmtuar të korrat në shumë shtete veriore, duke bërë që kostoja e shumë artikujve të rritet ndjeshëm.

Sakaq, rritja e kostos së jetesës ka bërë presion politik mbi qeverinë në Indi, përpara zgjedhjeve kombëtare vitin e ardhshëm.

Vendi do të ketë edhe zgjedhje në nivel shtetëror në muajt e ardhshëm.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore