Lajme

Ilir Peci që ka fituar zgjedhjet në Zveçan dyshon se do ta kryejë mandatin deri në fund: “Jemi në dilema se çka do të sjellin marrëveshjet në Bruksel”


Ilir Peci, kryetar i ri i Zvecanit

Ilir Peci, Kryetari i ri i Komunës së Zveçanit, nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës thotë se ndjehet ligjërisht kryetar i kësaj komune, ani pse në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 23 prillit mori vetëm 114 vota nga 204 sa ishin gjithsej, edhe pse te drejtë vote kishin 6 mijë e 998 votues.

Gjithsesi, Peci nuk është shumë i bindur që do të arrijë të kryejë mandatin e kryetarit të komunës deri në fund, aq sa kanë mbetur deri në zgjedhjet e rregullta.

“Ne mandatin e kemi 2 vite e gjysmë, por ne po e shohim se si po shkon situata. Mund të ndodhë që pas 3-4 muajsh e përfundojmë mandatin”, ka deklaruar Ilir Peci, në një prononcim për Albanian Post.

Ai nuk frikësohet nga strukturat paralele, por nga marrëveshja që mund të bëjë Qeveria e Kosovës në Bruksel.

“Për shkak të bisedimeve, mund të ndryshojë ndonjë gjë qeveria serbe dhe ndryshon rrjedha, mbase. Jemi në dilema se çka do të sjellin marrëveshjet në Bruksel. Ndoshta ndërkombëtarët i bëjnë presion kryeministrit të rrëzojë këtë qeverisje e të shkojë në zgjedhje të tjera”, shpreh shqetësimin e tij Peci.

Kryetari i ri i Zubin Potokut për Albanian Post: Shqiptarët më kanë zgjedhur, por do t’iu shërbej të gjithëve

“Unë nuk i frikësohem vetes, e postit tim, sepse kam një rreth shumë të mirë, grupi im janë të gjithë profesorë e magjistra. Të gjithë stafin e kam të aftë, nuk i frikësohem punës”, vazhdon më tej ai.

“Ne po presim brenda shtatë dite, kryeministri të dalë edhe të na jep informacion. Po presim certifikimin e zgjedhjeve, votat që kam marrë nga shqiptarët mjaftojnë. Unë kam marrë besimin e tyre”, thotë Kryetari i ri i Zveçanit.

Ilir Peci thotë se është i gatshëm të fillojë me punë në krye të Komunës së Zveçanit, me stafin që ka por, po pret dritën jeshile nga institucionet kredibile të Kosovës, për të vazhduar tutje.

“Krejt varet çka do të thotë KQZ përfundimisht dhe çfarë vendimi do të marrë Qeveria e Kosovës. Nëse ata thonë se nga sot mund të filloni, ne fillojmë”, tregon Peci për Albanian Post.

Përtej kësaj, Peci thotë se pret mbështetje nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti edhe për të kryer punë në komunë, ani pse nuk i përket partisë së tij.

“Besoj që do të kemi mbështetjen e Albin Kurtit, edhe pse jam i partisë tjetër, por meqë është fjala për veri besoj qe kryeministri do të na përkrahë, se nëse nuk na përkrahë ne nuk mund të bëjmë asgjë këtu”, shprehet Peci.

Puna e parë që do të bëjë në zyrë të kryetarit të Komunës, Peci thotë se është mbledhja me komunitetin serb.

“Unë, në ditët e para e kam ndërmend t’i ftoj serbët, të flas me ta që të pranojnë zgjedhjet, të pranojnë bashkëpunimin me ne. E nëse pranojnë ata ne e kemi punën më të lehtë”.

“Sa ju përket fshatrave shqiptare ne kemi plane edhe tash dhe e kemi më lehtë por, për serbët na duhet punë për të arritur bashkëpunimin”.

Bashkëpunim ky, të cilin kryetari Peci thotë se synon ta arrijë “me çdo kusht”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore