Lajme

Kryetari i ri i Zubin Potokut për Albanian Post: Shqiptarët më kanë zgjedhur, por do t’iu shërbej të gjithëve


Izmir Zeqiri, Kryetar i ri i Zubin Potokut

“Po”, e thotë me bindje të plotë Izmir Zeqiri, “e ndjej veten kryetar legjitim në Komunë”, pasi u zgjodh një ditë më parë në procesin e jashtëzakonshëm zgjedhor të mbajtur në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Zeqiri mori 196 vota, nga 6 mijë e 61 qytetarë me të drejtë vote sa ka kjo komunë.

Ai thotë se ka votën e shumicës shqiptare që jeton në Zubin Potok.

“Unë bazohem në ata votues rezidentë që janë banorë të Zubin Potokut dhe në vendin ku unë kam votuar 95% e banorëve kanë dalë në votim. Sepse ata janë duke banuar këtu, ndërsa ata që janë duke banuar në Zvicër e Gjermani ata nuk kanë pasur edhe mundësi të votojnë. Këtu është dallimi. Po e zëmë i kemi 1 mijë persona, por rreth 5-600 prej tyre jetojnë në botën e jashtme. Unë e konsideroj legjitime sa i përket komunitetit shqiptar”.

“Serbët e kanë bojkotuar, ajo ditët tashmë, por sa i përket komunitetit shqiptar unë jam i bindur se 95% kanë votuar”, tregon Izmir Zeqiri, në një prononcim për Albanian Post.

Pavarësisht kësaj, Zeqiri thotë se do të punojë për të gjithë banorët e Zubin Potokut, pa dallim.

“Do të jem në funksion të të gjithëve, do të përpiqem të bëj më të mirën të mundshmen. Unë e di që ka sfida e probleme, por unë mendoj që ne do të bëjmë aq sa na lejon ligji dhe do të përpiqemi të bëjmë punën më të mirën të mundshme”, shprehet ai.

Zeqiri është i bindur se bojkoti i komunitetit serb nuk do të zgjasë përgjithmonë.

“Unë mendoj që serbët do të vazhdojnë me bojkote, por jo përherë. Sepse dihet, ne e kemi një funksionalitet jo krejt të duhur këtu. Kuvendin e kemi të konsoliduar dhe është në funksion, kuvendi komunal. Me kryesues kuvendi që është serb. Kemi edhe një anëtar tjetër që është serb këtu, kemi serbë që marrin pjesë në kuvend. Mirë po, ne do të jemi të hapur për secilin kuadër, edhe në kabinet të kryetarit”, premton kryetari i ri i Zubin Potokut.

Puna e parë që ai do të bëj si i pari shqiptar i komunës së banuar kryesisht me serb, është funksionalizimi i ligjit.

“Kthimi i ligjshmërisë, ky është problemi kyç në këtë komunë. Është interes edhe i qytetarëve. Të funksionojë ligji, të veprojë ligji për të gjithë”.

“Bojkoti ka bllokuar funksionimin e jetës këtu në Zubin Potok dhe vetë qytetarët kanë ankesa për këtë gjë. Sepse ka presione të grupeve të caktuara këtu që nuk dinë kujt t’i drejtohen, të thërrasin policinë frikësohen sepse thonë ‘t’i tregojmë realitetin policisë për dhunën që realisht e përjetojnë, frikësohen mos po kanë pasoja më pas’. Kështu që ligjshmërinë jemi shumë të interesuar ta kthejmë fuqishëm”, shprehet me bindje Zegjiri.

“Duam që të bimë rehatinë këtu, rendin dhe ligjin”, ripërtëritë ai si një nga misionet kryesore që do të udhëheqin mandatin e tij si kryetar.

“Të gjithë serbët që jetojnë këtu duan drejtësi, por drejtësinë atyre po ua imponojnë nga jashtë, këtu është problemi, po i shtyjnë detyrimisht mos të deklarojnë për problemet që kanë”, tregon ai.

Por, këto sfida ai premton se do t’i tejkalojë me kohë, meqë është i gatshëm të punojë për të mirën e përgjithshme.

Zgjedhjet e shumëpërfolura në Veri të Kosovës përfunduan.

Procesi zgjedhor si zakonisht filloi në ora 7:00 dhe përfundoi në ora 19:00.

Gjatë këtyre zgjedhjeve nuk u raportua asnjë incident, dhe se gjithë procesi shkoi siç duhet u konfirmua nga Prokuroria dhe Policia e Kosovës.

Siç edhe pritej pjesëmarrja e qytetarëve në këto zgjedhje ishte tejet e ulët, kjo për shkak të bojkotimit të serbëve, e të cilët janë shumicë në këtë pjesë të Kosovës.

Vetëm 1567 qytetarë votuan në zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat veriore që janë mbajtur të dielën e 23 prillit, apo përkthyer në përqindje vetëm 3.47 për qind, nga gjithsejtë 45 mijë e 95 qytetarë sa kishin të drejtë vote.

Këtë të dhëna i bëri të ditura Kryetari i Komisionit Qendror Zgjedhor të Kosovës (KQZ), Kreshnik Radoiniqi, në një konferencë për media pasi u mbyllën të gjitha qendrat e votimit.

Në komunën e Leposaviqit morën pjesë 141 votues, apo 1.06 për qind, në Zubin Putok 385 votues, apo 5.78 për qind, në Zveçan 204, apo 2.92 për qind, dhe në komunën e Mitrovicës së Veriut 837 votues, apo 4. 62 për qind.

Kush fitoi në këto zgjedhje?

Fitorja ishte e barabartë në mes të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës.

Mitrovica e Veriut dhe Leposaviqi janë dy komunat ku do të udhëheqin kandidatët e Vetëvendosjes.

Erden Atiq do jetë kryetar i Mitrovicës së Veriut, pasi ka marrë 519 vota apo 66.5 për qind, derisa pas tij është renditur ai i Partisë Demokratike të Kosovës, Taulant Kelmendi, me186 vota apo 23.8 për qind dhe Betim Osmani nga Iniciativa Qytetare Mitrovica me 75 vota apo 9.6 për qind.

Erden Atiq

Lulzim Hetimi i LV-së doli i pari në garën për kryetar në komunën e Leposaviqit. Ky i fundit numëroi 100 vota apo 73.5 për qind, ndërsa Albulena Behluli-Hetemi e PDK-së pati 34 vota apo 25 për qind. Ndërsa Aleksandër Jabllanoviç, edhe pse u tërhoq nga gara, mori dy vota.

Kandidati i VV-së në Leposaviq: Edhe nëse bashkëpunojmë me PDK-në nuk kërcet kiameti - NACIONALE
Lulzim Hetemi

E, Zveçani e Zubin Potoku janë dy komunat ku Partia Demokratike e Kosovës do ta ketë udhëheqjen.

Izmir Zeqiri, do të jetë kryetar i Zubin Potokut, pasi që arriti të dalë më i votuari me 196 vota apo 52.1 për qind, kurse Flatron Hasani nga LV-ja pati 180 vota apo 47.9 për qind.

Izmir Zeqiri

Sipas KQZ-së, PDK-ja do ta ketë kryetarin e komunës edhe në Zveçan.

Open photo
Ilir Peci

Ilir Peci mori 114 vota apo 60 për qind, ndërsa Fetah Peci i VV-së mori 71 vota apo 37.4 për qind. Sllagjana Pantoviç si kandidate e pavarur mori pesë vota apo 2.6 për qind.

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore