Sport

Ilir Daja e ‘feston’ me humbje ndeshjen e 500 në karrierë


Trajneri Ilir Daja ka arritur një moment të veçantë në karrierën e tij. 57-vjeçari ka kremtuar 500 ndeshje në karrierë këtë të mërkurë, pavarësisht se festa i është prishur disi nga humbja 2-1 ndaj Dritës.

Tekniku nga Tirana është pjesë e Ballkanit në Superligën e Kosovës dhe si rrallë herë skuadra e tij ka marrë tre humbje radhazi, në të gjitha garat. Më e fundit 2-1 ndaj Dritës. Megjithatë, ekipi qëndron ende në krye të tabelës së renditjes.

Daja e nisi aventurën e tij në stol në vitin 2004 teksa drejtoi Pogradecin. Më pas ai kaloi te Elbasani, Dinamo (dy periudha), Besa (dy periudha), Tirana, Skënderbeu (dy periudha), Flamurtari, Partizani dhe së fundmi te Ballkani.

Ballkani është dhe aventura më e gjatë radhazi e Ilirit në një skuadër, duke e drejtuar klubin nga Theranda në 106 ndeshje. Ai ka arritur 64 fitore, 20 barazime dhe 22 humbje gjatë kësaj periudhe.

Ndërsa, në total, aventura e tij më gjatë ka qenë në drejtimin e Skënderbeut. Ai i drejtoi korçarët në dy periudha, e para zgjati 81 ndeshje, dhe e dyta 42. Në këto 123 ndeshje, Daja arriti 70 fitore, 24 barazime dhe 29 humbje.

Në totalin e tij prej 500 ndeshjesh, Daja ka arritur 257 fitore, 122 barazime dhe 121 humbje.

Gjerësisht, 57-vjeçari njihet si trajneri më i mirë që ka operuar në futbollin vendas ndonjëherë. Ai numëron shtatë trofe në karrierë, tre Superiore të Shqipërisë, një Kupë të Shqipërisë, dy Superliga të Kosovës dhe një Superkupë të Kosovës.

Daja është trajneri i vetëm shqiptar që ka dërguar dy skuadra të ndryshme në Kupat e Evropës. E bëri këtë fillimisht me Skënderbeun në grupet e Europa League, dhe e ka vijuar dy sezonet e fundit me Ballkanin në grupet e Conference League.

Gjithashtu, 48 ndeshjet e tij në kompeticionet evropiane e veçojnë atë në krahasim me trajnerët e tjerë shqiptarë. Askush si ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore