Lajme

“Ikje nga përgjegjësia”- kandidimi i Vitisë për kryetar të Prishtinës


Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, i cili tashmë ka shpallur kandidaturën e tij për kryetar të Prishtinës për zgjedhjet lokale të 17 tetorit është duke u kritikuar nga qytetarët dhe shoqëria civile, përkundër se ligjërisht kandidimi i tij për kryetar nuk ka ndonjë pengesë.

Ai mund të mbajë pozitën e ministrit deri në certifikimin e zgjedhjeve të 17 tetorit, dhe në rast se bëhet kryetar i kryeqytetit, atëherë duhet ta lirojë pozitën e ministrit.

Por, Mexhide Demolli-Nimani, drejtoreshë në organizatën joqeveritare FOL në një prononcim për Albanian Post, këtë vendim po e konsideron si ikje nga përgjegjësia e ministrit të Shëndetësisë.

“Vërtetë nuk është etike, një gjë e tillë, sidomos në këtë kohë kur situata me pandeminë nuk po menaxhohet si duhet dhe kemi rritje rekorde të numrit të të infektuarave, kjo në këtë rast më duket si ikje nga përgjegjësia si ministër i Shëndetësisë”, thotë Demolli-Nimani.

Ajo potencon se problemi kryesor qëndron në atë se si ministri i Shëndetësisë do të arrijë të menaxhojë pandeminë në njërën anë dhe në anën tjetër të merret me fushata zgjedhore.

“Vërtetë jam kurioze”, thotë ajo, , “Si do të arrijë edhe të jetë në fushatë zgjedhore e po ashtu edhe të menaxhojë me shëndetësinë, kur dihet se këto zgjedhje janë të rregullta dhe fushata parazgjedhore do të zgjas 30 ditë”.

Demolli-Nimani shton se, “kjo qeveri, do duhej të merrte masa dhe prioritet të ketë shëndetësinë”.

Ndërsa, Bujar Vitia, gazetar në gazetën “Shneta”, në një përgjigje me shkrim për Albanian Post thekson se “kandidimi i ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, për kryetar të Prishtinës nga Lëvizja Vetëvendosje në këtë kohë është vendim i gabuar”.

Sipas tij, një vendim i tillë do të ishte i duhur të merret në kohën kur ka pasur rënie të rasteve me COVID-19.

“Është përfolur edhe më herët se Vitia do të jetë kandidat për Prishtinë, dhe për këtë arsye LVV është dashur që Vitinë ose të mos e emërojë fare në pozitën e ministrit ose së paku ta bëjë zyrtare kandidaturën në kohën kur kishte rënie të rasteve pozitive me COVID-19”.

“Kandidimi i Vitisë në këtë kohë është mjaft problematik, sepse po përballemi me një situatë alaramante, me shifra rekorde të qytetarëve të infektuar dhe të hospitalizuar nga COVID-19”.

Përveç këtyre ai deklaron se, “Qeveria duhet ta gjej sa më parë emrin e ministrit të ri dhe Vitinë ta lirojë nga detyra”.

“Kosova me këtë shëndetësi të dobët e aq më tepër më situatën e vështirësuar të pandemisë, nuk e ka luksin që të ketë ministër një kandidat për zgjedhje lokale”.

Por, nga Qeveria e Kosovës, përmes një përgjigje me shkrim për Albanian Post kanë theksuar se kandidimi i ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, nuk do ta shpërqendroj atë nga pandemia COVID-19.

“Kandidimi i tij për kryetar komune nuk përbën shpërqendrim, e për më tepër që fushata fillon vetëm më 17 shtator, pra pas gati një muaj, dhe që ministria Vitia është kryetar i qendrës së LVV-së në Prishtinë, që do të thotë se ka një strukturë dhe rrjet të gjerë të aktivistëve që do të angazhohen në fushatën e tij”, thuhet në përgjigje.

Vitia: Fokusi im është në Ministrinë e Shëndetësisë

Më 20 gusht, Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka deklaruar se planifikon që të qëndrojë në këtë post deri kur në Kosovë të ketë rezultate të mira në përballjen me pandeminë.

“Unë jam në Ministrinë e Shëndetësisë dhe i gjithë fokusi im është në Ministrinë e Shëndetësisë, derisa të jenë rezultatet e mira në raport me pandeminë. Ta keni parasysh që 17 tetori natyrisht që nuk do të më gjejë si ministër të Shëndetësisë, por deri në atë kohë do ta bëjë maksimumin ashtu siç jam duke bërë tani”, ka deklaruar Vitia.

Situata epidemiologjike me Coronavirus në Kosovë

Ministria e Shëndetësisë, njoftoi më 25 gusht se 14 persona kanë vdekur dhe janë regjistruar 2 mijë e 541 raste të reja me Coronavirus.

Viktimat ishin nga Peja, Prizreni, Rahoveci dhe Gjilani, ndërsa rastet e reja dalin pas testimit të 11 mijë e 814 mostrave.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Shëndetësisë, rastet e reja rezultuan pas testimit të 12 mijë e 618 mostrave.

Ndërsa, 250 mijë e 626 qytetarë të Kosovës janë vaksinuar me nga dy doza të vaksinës kundër Coronavirusit.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore