Lajme

IKD: Dështimi i shtetit ndaj rastit “Kobra”, institucionet kanë zgjedhur heshtjen


Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) në analizën “Dështimi i shtetit ndaj “Kobrës”, ka akuzuar institucionet për këtë rast.

Në analizë thuhet se Dibran Hoxha i dyshuar për vrasjen e një 31 vjeçari ka 16 aktgjykime dënuese të formës së prerë, ndërsa të gjitha ishin dënime me kusht e me gjobë dhe në asnjë prej aktgjykimeve nuk ishte dënuar me burgim efektiv.

“Deri të vdekja e 31 vjeçarit dyshohet se erdhi nga arma që u shkrep nga një recidivist i veprave penale, Dibran Hoxha apo siç njihet me pseudonimin ‘Kobra’, thuhet në analizën e IKD-së.

“Derisa ndër veprat për të cilat është dënuar  më shumë se dy herë është vepra penale e armëmbajtjes pa leje. Por, se këto dënime nuk do ta ndalonin të njëjtin që të posedonte sërish armë, dhe të kryente vepër penale më të rëndë, si ajo e privimit nga jeta të një personi, ashtu siç po dyshon Prokuroria Themelore në Prizren”.

Pavarësisht, veprave të cilat akuzohet “Kobra”, institucionet e Kosovës kanë zgjedhur “heshtjen”.

“Institucionet kanë zgjedhur të heshtin dhe nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim në gjetjen e përgjegjësve në këtë hallkë dështimi të institucioneve”.

Ky institut, thekson se në të gjitha rastet për të cilat fajësohet Kobra, ishte paraparë mundësia e aplikimit të dënimeve më të ashpra ndaj tij.

Mirëpo se në asnjë prej tyre, i njëjti nuk është dënuar me burgim efektiv, as pasi i njëjti kishte përsëritur këto vepra penale dhe ishte recidivist.

Rasti “Kobra”, sipas IKD-së është shembulli në të cilin tregohet se “sistemi i drejtësisë ka dështuar”.

“Sipas IKD-së rasti ‘Kobra’ është rast i pakontestueshëm dhe shembull, në të cilin sistemi i drejtësisë,  ka dështuar të parandalojë kryesin nga kryerja e veprave penale në të ardhmen dhe të bëjë rehabilitimin e tij, e njëherësh ka dështuar të mbrojë shoqërinë nga një kryes i veprave penale, përmes politikave ndëshkimore joadekuate”.

“Respektivisht përmes dënimeve me gjobë e me kusht të një pas njëshme, me ç’rast si rezultat i mosveprimeve në rehabilitimin e një kryesi recidivist të veprave penale nga ana e sistemit të drejtësisë,  një person është privuar nga jeta”, thuhet më tej.

Në shtetet demokratike, aty ku sundon ligji, ky rast do të duhej të alaramonte sistemin e drejtësisë.

“Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), do të duhej të alarmoheshin nga dështimi i sistemit të drejtësisë, në parandalimin e një recidivisti nga kryerja e veprave penale dhe mbrojtja e të drejtës themelore, të garantuar në çdo shoqëri demokratike, që është jeta e një personi”.

Mirëpo, të njëjtit IKD-ja ka thënë se nuk ka reaguar deri tani “ngjashëm siç nuk kishte reagim institucional adekuat as në rastin e vrasjes së Saime Domazetit”.

Gjykata Themelore në Prizren, ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje pre një muaji për gjashtë personat e dyshuar për vrasje të rëndë në Prizren më 3 janar.

Pronari i lokalit “Kobra City”, Dibran Hoxha, i cili është i dyshuari kryesor për vrasjen e 31- vjeçarit nga Kukësi i Shqipërisë, është emër i njohur për organet e drejtësisë në Kosovë.

Hoxha, ka qenë i dënuar 16 herë, ai është i njohur me pseudonimin “Kobra”.

Madje, nga Gjykata Themelore në Prizren, kanë bërë të ditur se i njëjti ka ende aktive një lëndë, për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor” nga neni 153, par. 2 të Kodit Penal.

Si ndodhi vrasja në Prizren?

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore