Lajme

IAEA: Stafi në centralin bërthamor të Zaporizhzhia-s në Ukrainë nën urdhrat e Rusisë


Termocentrali bërthamor i Ukrainës, Zaporizhzhia, vazhdon të operohet nga stafi ukrainas, por menaxhimi vazhdon të jetë nën urdhrat e komandantit të forcave ruse që e kapën atë javën e kaluar. Kjo ka qenë deklarata e mbikëqyrësit bërthamor të OKB-së.

“Jam jashtëzakonisht i shqetësuar”, tha në një deklaratë shefi i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, Rafael Grossi, duke shtuar se forcat ruse kishin ndërprerë disa rrjete celulare dhe internetin, duke komplikuar komunikimin me termocentralin.

Sipas tij, menaxhmenti dhe stafi duhet të lejohen të kryejnë detyrat e tyre jetike në kushte të qëndrueshme pa ndërhyrje ose presion të jashtëm të panevojshëm.

Për 11 ditë radhazi, forcat ruse nuk i kanë ndalur bombardimet në Ukrainë në përpjekje për të kapur qytetet e mëdha si Kievin dhe Kharkiv.

Mbi 1.5 milionë ukrainas janë larguar nga vendi dhe mijëra ushtarë rusë kanë humbur jetën. Ndërkohë Ukraina vijon të rezistojë, pavarësisht sulmeve ruse.

Kombet e Bashkuara raportojnë se janë vrarë 364 civilë, 1 mijë e 123 të plagosur dhe 759 të lënduar lehtë në Ukrainë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore