Lajme

I gjithë spektri ideologjik: Simbolika prapa letrave të Macron, Scholz e Meloni për Kurtin dhe Vuçiç-in


Foto nga Albanian Post

Në publikimin e 18 shtatorit të vitit 2022, kur për herë të parë elaborohej se ndërkombëtarët janë vënë me intensitet prapa një “kornize të re” e cila mori emrin jo formal Propozimi franko-gjerman, Albanian Post tregonte se makro-perspektiva është që në vitin 2023 të arrihet një marrëveshje, e cila do të përbënte të dytën të rëndësishme pas asaj të vitit 2013 dhe në fund finalja të shënohej me 2033.

Ekskluzive, ‘korniza e re’ në dialog: Marrëveshje përmbajtësore vitin e ardhshëm, finalja pas 10 vjetësh – Kosova fiton njohje nga 5-shja e BE’së, anëtarësim në organizata; Serbia përfiton ndihma masive”, thoshte titulli.

30 vjet, tri marrëveshje, për një normalizim të plotë të obligueshëm ligjërisht për Kosovën dhe Serbinë.

Kaq e rëndësishme është kjo datë për perëndimorët, prandaj për të dhënë mesazhin e përbashkimit dhe rëndësisë, presidenti francez, Emmanuel Macron, kancelari gjerman, Olaf Schozl dhe kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, dërguan nga një letër te Albin Kurti e Aleksandër Vuçiç një ditë para marrëveshjes.

Letra e treshes nuk ishte vetëm për të treguar se Evropa qëndron e bashkuar politikisht dhe strategjikisht për këtë marrëveshje, por edhe në një dimension tjetër.

Tri partitë që udhëheqin tre liderët evropianë nuk janë të një kahu ideologjik, madje, as s’janë afër. Njëra rri në qendër, kurse dy të tjerat, njëra në të majtë, tjetra krejtësisht në të djathtë, madje disa e çojnë edhe në ekstrem nga e djathta.

Ekskluzive: Takim historik, pajtim historik, marrëveshje historike

“Renaissance”, më herët e njohur si “La République En Marche!”, apo me shkurtesën “En Marche!”, është parti liberale e qendrës e udhëhequr nga Macron.

Qysh nga prezantimi i “En Marche!”, Macron e kishte bërë të qartë se ideologjikisht përfaqësojnë qendrën politike, duke mos anuar as nga socializmi i majtë as nga konservatorizmi i djathë.

Macron me “En Marche!”-në e tij në zgjedhjet e brendshme lufton me të djathtë ekstrem të Frontit Nacional, apo siç tashmë janë ribrenduar si “Rassemblement National”.

Në zgjedhjet e fundit ishte kokë me kokë me Marine Le Pen e kësaj partie.

Shumë kush për nga ideologjia Le Pen-in do ta krahasonte me kryeministren aktuale të Italisë, Giorgia Meloni.

Gruaja e parë kryeministre e Italisë udhëheqë “Fratelli d’Italia”, një parti nacional-konsrvatore populiste e krahut të djathtë. Përkundër kësaj, Meloni ka vënë nënshkrimin njëjti si Macron në letrën dërgua dy liderëve Ballkanik si simbolikë e kalimit të diferencave dhe unitetit në këtë moment.

Akoma më larg se Macronin që Meloni e takon në qendër, e ka Olaf Scholz-in që udhëheqë një parti në skajin e kundërt të Melonit.

Scholz është udhëheqës i të majtëve socialdemokratë në Gjermani.

Edhe pse takon pak në qendër, Partia Socialdemokrate e Gjermanisë, një nga dy partitë historikisht më të mëdha në Gjermani, është e profilizuar si parti e qendrës së majtë.

Vetë qeveria e Gjermanisë është edhe më në të majtë se bindjet e Scholz-it.

Siç dihet, zëvendësi i tij në Qeveri është Robert Habeck që vjen nga partneri kryesor i koalicionit Partia e të Gjelbërve. Gjithashtu, krye-diplomatja gjermane, Annalena Baerbock, është po nga kjo parti.

Përkundër këtyre diferencave të mëdha ideologjike në mes tre liderëve, ata janë bërë bashkë, sepse, siç edhe thonë në letrën dërguar Kurtit, “ne besojmë që tani është urgjente që të vendoset një rrugë përpara me qëllimin që të përfundohet kjo marrëveshje dhe të sigurohet zbatueshmëria e saj mbi bazën e tekstit për të cilin jeni pajtuar”.

Akoma më tepër, pajtimin në këtë kohë tre liderët e quajnë “të një rëndësie jetike”, prandaj kërkojnë konstruktivitet edhe nga Kurti e Vuçiç.

Lexojeni letrën e plotë:

Berlin, Paris dhe Romë, 24 shkurt 2023

Shkëlqesisë së tij

Albin Kurtit

Kryeministër i Republikës së Kosovës

I dashur Kryeministër,

Në prag të takimit tuaj të ardhshëm në kuadër të dialogut të udhëhequr nga BE-ja në Bruksel, më 27 shkurt 2023, po ju drejtohemi bashkërisht për të bërë një bilanc të diskutimeve për të rënë dakord për një kornizë të re për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ne i mirëpresim shumë deklarimet tuaja publike së fundi, që afirmojnë se ju jeni gati ta pranoni propozimin evropian për “marrëveshje bazë”. Ne besojmë që tani është urgjente që të vendoset një rrugë përpara me qëllimin që të përfundohet kjo marrëveshje dhe të sigurohet zbatueshmëria e saj mbi bazën e tekstit për të cilin jeni pajtuar.

Këshilli Evropian në konkluzat e datës 9 shkurt, shprehu mbështetjen e tij për këtë marrëveshje të rëndësishme dhe në të njëjtën kohë i kërkoi Serbisë dhe Kosovës që të zbatojnë plotësisht dhe pa kushte, detyrimet për të cilat u zotuan në kuadër të dialogut, përfshirë marrëveshjet nga viti 2013 dhe 2015 dhe themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe.

Hapat që janë përpara për zbatimin duhet të pasqyrojnë këtë qasje politike, duke siguruar që edhe “Marrëveshja Bazë” dhe detyrimet e mbetura të Dialogut të adresohen në mënyrë adekuate pa vonesë. Ne presim që të dyja të diskutohen gjatë takimit të ardhshëm të dialogut të nivelit të lartë në Bruksel më 27 shkurt 2023.

Ne llogarisim shumë në lidershipin tuaj personal që në mënyrë konstruktive të luftoni për një përfundim të shpejtë dhe zbatim të kësaj marrëveshjeje. Ne jemi të bindur se kjo është e një rëndësie jetike për të mirën e të gjithë qytetarëve tuaj, për zhvillim paqësor dhe prosperues të rajonit dhe për avancimin e perspektivës evropiane të vendit tuaj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore