Lajme

I gjithë kufiri me Ukrainën i blinduar nga trupat ruse, mijëra prezentë edhe në Bjellorusi dhe Moldavi


Nuk ka cep të kufirit lindor të Ukrainës, që nuk është i mbushur me batalione ushtarësh rusë, të vendosur në llogore e gati për konflikt me Ukrainën.

Një hartë e re e përditësuar me prurjet e trupave të dërguara nga Moska drejt Ukrainës, është publikuar nga media shtetërore britanike BBC, së bashku me numrin e përafërt të trupave të çdo garnizoni ushtarak.

Ajo që bie më shumë në sy, është se jo vetëm i gjithë kufiri mes Rusisë dhe Ukrainës është i mbushur me ushtarë rusë, por shumë të tillë janë të vendosur edhe në Bjellorusi dhe Moldavi.

Rajoni më i nxehtë, mbetet ai Donbasit. Në kufirin pranë Donetsk-ut, janë të vendosura tre garnizone. Një prej tyre është me mbi 6 mijë trupa. Një tjetër shkon në mbi 4 mijë trupa e një më tej në rreth 1 mijë trupa.

Po ashtu, edhe në afërsi të Luhansk-ut, ka tre garnizone, në të njëjtën tipologji, por në rreshtime të ndryshme.

I pari është i vendosur në veri të rajonit gjeografik ukrainas, me mbi 6 mijë trupa. Dy të tjerë, janë të vendosur më në lindje, me 4 mijë dhe 1 mijë trupa.

Krimea është po ashtu e tejmbushur me ushtarë rusë. Organizimi, praktikisht i njëjtë. Tre batalalione, ku një është me 6 mijë ushtarë, një me 4 mijë dhe tjetri me 1 mijë. Prezencë e lartë ushtarake është edhe më në largësi të kufirit.

Kremlini nuk është ndalur me batalionet lindore, por prezencën e ka shtuar edhe me ato në kufirin verior të Ukrainës me Rusinë Perëndimore. Skema vijon të jetë e njëjtë, me tre garnizone.

Në Bjellorusi, tetë baza ushtarake po fillojnë të vendosen, me një numër të pacaktuar ushtarësh. Pesë prej tyre janë ngjitur me kufirin mes Bjellorusisë Jugore dhe Ukrainës Veriore. Gjashtë garnizone të tjera po vendosen edhe në Rusi, përgjatë kufirit, për të përmbyllur mbulimin e plotë të zonës.

Jashtë skemës moskovite nuk ka mbetur as Moldavia, në kufirin perëndimor të së cilës, është vendosur një batalion me mbi 1 mijë ushtarë.

Në këtë mënyrë, Kremlini blindon absolutisht gjithë kufirin veri-lindor ukrainas dhe një pjesë të vogël të kufirit jugor të saj.

Prezencë ushtarake të shtuar do të ketë edhe nga pala amerikane, me vendimin e fundit të presidentit, Joe Biden.

Rreth 3 mijë trupa do të dërgohen në vendet e Evropës Lindore. Përkatësisht, 1 mijë pritet të shkojnë në Rumani dhe 1 mijë të tjerë në Poloni. Në Gjermani sakaq, do të mbesin në gatishmëri pjesa tjetër e ushtarëve të aleancës së NATO-s.

Me bisedimet diplomatike tërësisht në ngërç dhe pa avancim pozitiv, fryma e konfliktit mes Lindjes dhe Perëndimi po rritet. Shqetësimet për një mësymje të mundshme nga Moska janë të larta.

Por, lëvizjet e presidentit rus, Vladimir Putin, janë të paparashikueshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore