Lajme

I dënuari nga Gjykata për keqpërdorim detyre, shpërblehet nga Ministria e udhëhequr nga Liburn Aliu


Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu.

Më 14 shtator të këtij viti, Gjykata Themelore e Prishtinës e kishte dënuar Naser Hafizin, zëvendës udhëheqës i autoritetit rajonal të pellgjeve lumore në kuadër të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI), mirëpo kjo nuk i ka penguar ministrisë që udhëhiqet nga Liburn Aliu, që më 1 nëntor – as dy muaj të plotë pas dënimit – ta emëroi Hafizin anëtar të komisionit Disiplinor në MMPHI.

Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm
Vendimi i MMPHI-së.

Sipas vendimit të gjykatës, Naser Hafizi, kishte kryer veprën penale “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike nga neni 195 paragrafi 1 i Kodit Penal të Kosovës”, ndërsa dënimi që iu kishte shqiptuar kishte qenë gjoba prej 350 eurosh.

Zyrtari i MMPHI-së, siç thuhet nga gjykata, nga data 2 dhjetor i vitit 2021 deri në janar të vitit 2023, gjatë kryerjes së detyrës zyrtare “e ka keqpërdorur detyrën zyrtare dhe autorizimet e tij ashtu që ka keqtrajtuar, frikësuar dhe fyer rëndë dinjitetin e dëmtuarës Makfirete Dibrani”.

Që prej momentit të dorëzimit të padisë nga ana e të dëmtuarës ndaj të pandehurit, thuhet në vendimin e gjykatës, “i njëjti kishte filluar në shenjë hakmarrje vazhdimisht duke ushtruar dhunë psikike”.

“Duke iniciuar atë mënyrë që prej momentit të dorëzimit të padisë nga ana e të dëmtuarës ndaj të pandehurit, masën disiplinore, duke i dhënë vërejtje me shkrim dhe duke vazhduar ndikimin në vazhdimësi në lëshimin e lejeve ujore për disa ambalazhues dhe duke bërë ndërhyrje direkte në vendimmarrjen e saj”, thuhet në aktgjykim.

Ndonëse i dënuar nga Gjykata, ministria e drejtuar nga ministri Aliu, nuk ka hezituar fare që të njëjtin ta emëroi edhe në një pozitë tjetër në kuadër të kësaj ministrie, atë të komisionit Disiplinor në MMPI-së, me mandat 2 vjeçar.

Ky nuk është rasti i vetëm kur kjo ministri kishte emëruar persona që kishin keqpërdorur pozitën zyrtare.

Rasti tjetër është ai Avni Ahmetit – Drejtor Ekzekutiv në Agjencinë Kadastrale të Kosovës, për të cilin kishte raportuar ekskluzivisht Albanian Post.

Nga të gjitha keqpërdorimet nga kjo pozitë, Ahmeti i kishte shkaktuar dëme shtetit të Kosovës rreth 2 milionë e 300 mijë euro.

Për këto shkelje të mëdha e të shumta, nga “paligjshmëria në punë, keqpërdorimi i detyrës zyrtare” e deri te “degradimi i stafit e prishjes së imazhit të Agjencisë”, Ahmeti ishte dërguar në komision disiplinor dhe ishte obliguar të jap dorëheqje.

Por, pas një kohe fare të shkurtër, i njëjti person që keqpërdoroi miliona ishte kthyer në pozitën e njëjtë, nga i njëjti ministër.

Ai më pas edhe do vizitohej nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke shënuar vizitën e parë të një kryeministri në këtë Agjenci.

Kthimi i tij në punë kishte lënë të gjithë të befasuar brena Agjencisë Kadastrale të Kosovës.

Shkeljet e Ahmetit, si dorë e djathtë e Murat Mehes, ishin ditur prej kohësh.

Ato u zyrtarizuan edhe në dokumentin që u iniciua nga vetë Aliu, ku në 10 faqe përshkruhen në detaje shkeljet e mëdha të Ahmetit.

Kur Aliu dërgon dokumentin te ministri Xhelal Sveçla, që është edhe Kryesues i Këshillit Shtetëror për Vlerësim dhe Disiplinim, ai shkruan se Ahmeti ka bërë “shkeljeve të rënda të detyrave të punës, paligjshmëri në punë, keqpërdorim të detyrës zyrtare, nxjerrje të udhëzimeve administrative në kundërshtim me ligjin për Kadastër e keq menaxhim të projekteve”.

Por, jo vetëm kaq, në dokumentin e Aliut për anëtarët e Këshillit Shtetëror për Vlerësim dhe Disiplinë, ai shkruan edhe se Ahmeti është përgjegjës për “dëmtim të kualitetit të të dhënave kadastrale dhe pronësore, pagesë të projekteve të papërfunduara, favorizim të operatorëve të caktuar ekonomikë, caktim dhe pezullim të kundërligjshëm të zyrtarëve, degradim të stafit dhe prishje të imazhit të AKK-së”.

Pa u kuptuar pse dhe pa asnjë shpjegim, Ahmeti që u largua nga pozita udhëheqëse në agjenci, ai ishte kthyer po aty.

Tani është  ushtrues detyre i Kryeshefit/Zëvendësues i Drejtorit të Përgjithshëm në të njëjtën Agjenci.

Albanian Post kishte pritur më shumë se 10 ditë një përgjigje nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, por nuk ishte kthyer përgjigje prapa.

Librun Aliu kishte refuzuar të jap përgjigje përse e ktheu një keqpërdorues si Ahmeti sërish në pozitë udhëheqëse.

Albin Kurti, gjatë fushatës zgjedhore, kishte premtuar se në qeverinë e tij nuk do të ketë njerëz me aktakuza.

“Nuk do të kemi në qeveri ministra me aktakuza edhe pse më vjen keq për zyrtarin që e kam emëruar drejtor të zyrës për komunitete në ZKM Nenad Rashiç, i cili njëmend ka një aktakuzë. Por mos të harrojmë se prokuroria është pasive aty ku duhet më së shumti e është aktive aty ku s’ka prioritet realisht për drejtësinë”, thoshte Kurti në një intervistë për “Kallxo.com” më 4 shkurt.

Mirëpo, ky premtim i Kurtit nuk ka dalur i saktë pasi që i njëjti ka veshur kostumin e kryeministrit. Përveç këtyre emërimeve të njerëzve të dënuar nga gjykata, në kabinetin e tij ka edhe ministra me aktakuza, siç është rasti i Ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, i cili e ka një aktakuzë për keqpërdorim të detyrë zyrtare.

E denoncoi vetë për shkelje ligjore e vjedhje milionëshe, Liburn Aliu e kthen në punë Avni Ahmetin si kryeshef të Agjencisë shtetërore

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore