Lajme

Hungaria mbështet aspiratat euroatlantike të Kosovës, thotë ambasadori hungarez


Glauk Konjufca dhe Bela Bozsik

Ambasadori i Hungarisë në Kosovë, Bela Bozsik, ka thënë se shteti hungarez mbështet aspiratat euroatlantike të Kosovës dhe forcimin e rolit të saj në marrëdhëniet ndërkombëtare, gjatë një takimi me Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, të mërkurën në Prishtinë.

Konjufca dhe Bozsik kanë diskutuar për marrëdhëniet midis dy vendeve dhe ndikimin pozitiv në procesin e integrimit evropian të Kosovës dhe forcimit të subjektivitetit të saj në arenën ndërkombëtare, thuhet në një komunikatë të lëshuar nga shërbimi për shtyp i Kuvendit të Kosovës.

E kreu i legjislativit kosovar, siç thuhet ndër të tjera në komunikatë, ka falënderuar diplomatin hungarez për mbështetjen e Qeverisë së Hungarisë  për Kosovën dhe ka theksuar nevojën që kjo përkrahje të vazhdojë në proceset që vendi ynë ka para vetes.

“Ambasadori Bozsik pasi falënderoi kryetarin Konjufca për pritjen e përzemërt, konfirmoi angazhimin e vazhdueshëm të shtetit të tij në mbështetje të aspiratave euroatlantike të Kosovës dhe forcimit të rolit të saj në marrëdhëniet ndërkombëtare”, thuhet në komunikatë.

Kujtojmë se përveç pesë shteteve mosnjohëse brenda Bashkimit Evropian (BE) – Spanja, Sllovakia, Rumania, Qiproja dhe Greqia – Hungaria njohëse ka befasuar të gjithë duke votuar kundër shtetit kosovar në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës (KiE) në prill të këtij viti.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore