Lajme

Hoxhiq pas ankesës në Supreme: Do t’i shterim mundësitë ligjore brenda dhe jashtë vendit për rikthimin e votave


Adriana Hoxhiq kryetare e Iniciativës qytetare “UZ-AH” ka dorëzuar ankesë në Gjykatën Supreme për vendimin e PZAP-së për anulimin e votave në pesë komuna.

Hoxhiq e ka cilësuar vendimin e PZAP-së si skandaloz dhe të papranueshëm sepse siç tha ajo “i shkel të drejtat themelore të qytetarëve të Kosovës që ta shfrytëzojnë votën e tyre dhe të votojnë sipas vullnetit të tyre”.

“Unë besoj që ai  vendim i djeshëm është sfidë për Qeverinë e Kosovës dhe të gjitha institucionet e Kosovës dhe në përgjigjen që e marrim nga Gjykata Supreme e shohim a është Kosova shtet ligjor, a është shtet joligjor”.

Ajo ka thënë se nuk do të dorëzohet dhe nëse ka nevojë do t’i shfrytëzojë edhe mekanizmat e institucionet jashtë vendit.

“Do të shkojmë deri në fund, do t’i shfrytëzojmë të gjitha institucionet brenda Kosovës, por nëse kjo nuk jep rezolutat ku do të respektohet e drejta e njeriut për të votuar do t’i shfrytëzojmë mekanizmat  e institucioneve jashtë vendit”.

Të hënën Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa vendosi të anulonte votat e partive boshnjake në komunat me shumicë serbe dhe të votave të subjektit Iniciativa Rome në ato komuna.

Në total janë anuluar 5813 fletëvotime nga numri total i 877.497 sa ishin llogaritur të vlefshme nga KQZ-ja. Pas anulimit, Hoxhiq humb ulësen në Kuvend.

Paneli për Ankesa dhe Parashtresa ka urdhëruar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të rinumërohen 134 vendvotime.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore