Lajme

Hoxhaj në takim lamtumirës me ambasadorin amerikan Philip Kosnett


Ish- kryetari në detyrë i PDK-së Enver Hoxhaj dhe ambasadori amerikan në Kosovë Philip Kosnett.

Ish- kryetari i PDK-së Enver Hoxhaj, ka mbajtur një takim lamtumirës të enjten me ambasadorin amerikan në Kosovë Philip Kosnett.

Hoxhaj, theksoi se ambasadori Kossnet ka shprehur falënderim dhe mirënjohje për bashkëpunim si dhe ka treguar rolin e rëndësishëm të SHBA-ve në Kosovë përgjatë viteve.

“Në takim lamtumirës me ambasadorin amerikan Philip Kosnett. Ambasadorit i shpreh falenderim e mirënjohje për bashkëpunim dhe për rolin jashtëzakonisht të rëndësishëm e mbështetjen e madhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kosovën përgjatë viteve”, ka shkruar Hoxhaj në Facebook.

Po ashtu, ai tha se roli i SHBA-së në Kosovë është i pazëvendësueshëm.

“Kosova përjetësisht i është mirënjohëse SHBA-së, roli i së cilës për lirinë, pavarësinë dhe të ardhmen e Kosovës, është i pazëvendësueshëm!”.

Ndërkaq, më 13 shtator, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në takim përshëndetës me  ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Kosovës, Philip S. Kosnett, këtë të fundit e ka dekoruar me urdhrin ‘”Dr. Ibrahim Rugova”, për kontributin e dhënë në ndërtimin e paqes dhe zhvillimit të demokracisë në vend.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në takim përshëndetës me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Kosovës, Philip S. Kosnett

Philip S. Kosnett u nominua nga ish- presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump në korrik të vitit 2018 dhe u konfirmua nga Senati në shtator për të shërbyer si ambasadori i pestë në Republikën e Kosovës.

Ai e dha betimin si ambasador më 27 nëntor 2018 në Uashington dhe ia dorëzoi letrat kredenciale ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit më 3 dhjetor.

Ai ka shërbyer si zëvendës-shef i Misionit në Uzbekistan dhe në Islandë si dhe në pozita të zyrtarit politik, politik-ushtarak dhe ekonomik-komercial në Afganistan, Irak, Kosovë, Holandë, Japoni dhe Turqi.

Pozitat në Uashington përfshijnë shërbim në byronë e Departamentit të Shtetit për çështje evropiane, në byronë kundër terrorizmit, byronë politike-ushtarake, byronë për inteligjencë.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, e ka nominuar për ambasador të SHBA-së në Kosovë, Jeffrey M. Hovenier.

Ai është një diplomat karriere i shërbimit të jashtëm amerikan që ka qenë pjesë e stafit të të Dërguarit të Posaçëm të Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore