Lajme

Hovenier pas takimit me Bislimin: Janë bërë disa hapa pozitivë për dinarin  


Jeffrey Hovenier

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, pas takimit që ka realizuar me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimin, një ditë pas bisedimeve që ky i fundit ka pasur në Bruksel mbi çështjen valutës shtetërore serbe, Dinarin, ka potencuar se janë bërë disa hapa pozitivë në këtë drejtim.

Andaj vizita e tij e sotshme, të cilën e ka cilësuar si rutinore, sipas Hovenier, ka qenë i fokusuar për të biseduar si mund të vazhdohet me këtë qasje pozitive në raport me çështjen e rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës, e cila ndaloi përdorimin e valutës shtetërore serbe, dinarin, për shit-blerje dhe transaksione financiare në territorin e Kosovës.

“Ka disa hapa pozitivë, siç tha edhe i deleguari i BE-së Lajçak, përpjekja jonë është për të diskutuar si mund të vazhdohet me këtë qasje pozitive”, u shpreh ai në një prononcim për media.

Gjatë fjalës së tij Hovenier ka ripërsëritur pozicionin e SHBA-ve në raport me çështjen e dinarit.

“Ne e respektojmë autoritetin e BQK-së. Çështja nuk është dinari, por si rregullorja e BQK-së u implementua. Jemi të shqetësuar për atë se kjo mund të ndikojë te popullata e cenueshme, posaçërisht te komuniteti serb”, ka thënë Hovenier.

Prandaj në vlerësimin e tij në këtë fazë është e rëndësishme të ndryshohet mënyra e zbatimit të kësaj rregulloreje në atë formë ku adresohen shqetësimet e SHBA-ve.

“Diskutimi mbi këtë po vazhdon”, potencoi ai.

Hovenier e ka vlerësuar si pozitive faktin se si Kosova ashtu edhe Serbia kanë mundësi të japin ide dhe të shprehin mendime se si mund të përfundojë çështja e dinarit gjatë takimeve në kuadër të dialogut të cilat pritet të mbahen javën e ardhshme.

Hovenier ndër të tjera ka potencuar se zëvendëskryeministri Bislimi nuk i ka prezantuar ndonjë propozim specifik për çështjen e dinarit.

“Mendoj se Qeveria ende po punon në këtë drejtim. Unë desha të shprehja mendimet tona, siç kemi bërë vazhdimisht përderisa duam të jemi konstruktiv në këtë proces, por mendojmë se është shumë çështje e rëndësishme që duhet të adresohet”, potencoi ai.

Kosova dhe Serbia të martën u takuan në Bruksel për të diskutuar për rregulloren e BQK-së.

Takimi ishte i nivelit të kryenegociatorëve.

Në takim u arrit dakordimi mes Kosovës dhe Serbinë që të dërgohen propozime për të dalë nga ngërçi i dinarit.

Palët kanë kohë deri të premten për t’i dërguar propozimet, e më pas ato do të diskutohen të hënën në Bruksel në takimin mes kryenegociatorëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore