Lajme

Hoti për “FP”: Po i koordinojmë veprimet për të kundërbalancuar Kinën


Avdullah Hoti

Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, njëherë kryetar i Aleancës Ndër-Parlamentare për Kinën (IPAC) – një grup i ligjvënësve ndërkombëtarë e ndërpartiak që fokusohet në hartimin e një strategjie mbi marrëdhëniet me Kinën midis vendeve demokratike – ka folur për mbështetjen e Kosovës për Tajvanin.

Ambasada e Kinës në Serbi e ka akuzuar deputetin kosovar për “mbështetje të hapur ndaj forcave separatiste” dhe “shkelje të sovranitetit kombëtar dhe integritetit territorial të Kinës” pas takimit të Hotit me Presidenten e Tajvanit, Tsai Ing-wen, në kuadër të Forumin të Hapjes dhe Monitorimit Parlamentar më 13 mars të këtij viti, ka kujtuar revista amerikane.

Në këtë drejtim, ish-kryeministri kosovar ka thënë për “Foreign Policy” se vizita e tij në Taipei ka qenë në funksion të “respektimit të sovranitetit dhe integritetit territorial të vendeve të vogla”, sepse sipas tij, nëse nuk repektohen këto parime, “vendet e mëdha dhe të forta mund të pushtojnë këdo në botë”, ndërsa ka shpjeguar rolin e IPAC-it.

“Ne po koordinojmë veprimet midis demokracive për të kundërbalancuar Kinën. Ne duhet të frenojmë presionin që Kina po përdor në të gjithë botën për të përhapur ndikimin e saj politik.  Përpjekjet për t’u angazhuar me Tajvanin janë pjesë e kësaj strategjie. Duke u lidhur me kolegët në Taipei, ne po përpiqemi të thyejmë izolimin me të cilin Tajvani është përballur për një kohë shumë të gjatë”, ka thënë Hoti.

Deputeti i LDK-së gjithashtu ka thënë gjithashtu se paralelet mes izolimit të Kosovës dhe Tajvanit nga organizatat ndërkombëtare janë të mbingarkuara dhe se qasja në NATO dhe Bashkimin Evropian (BE) e dhe jo në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB), janë prioritetet e Kosovës.

Kosova dhe Tajvani në fund të vitit 2021, kanë krijuar grupet e miqësisë në parlamentet e tyre respektive. Kjo ka shënuar edhe themelimin e grupit të parë të miqësisë mes Tajvanit dhe një shteti në Ballkanin Perëndimor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore