Lajme

Hong Kong: Pasi u arrestuan, gjykata u mohoi garancinë drejtuesve të Apple Daily


Aktivistët pro-demokracisë me një kopje të gazetës Apple Daily dhe një banderolë protestojnë përpara gjykatës në Hong Kong

Dy drejtuesve të tabloidit me bazë në Hong Kong “Apple Daily” iu mohua garancia për t’u gjykuar të lirë, të shtunën e 19 qershorit, nga gjykata e Magjistraturës. Ata akuzohen sipas një ligji të sigurisë kombëtare që Kina ka vendosur ndaj lirisë së shtypit në Hong Kong.

Kryeredaktori Ryan Law, 47 vjeç dhe CEO i “Next Digital”, Cheung Kim-hung, 59 vjeç, u paraqitën në mëngjes herët në Gjykatat e Magjistraturës West Kowloon për seancën e tyre të parë.

Kryeredaktori i Apple Daily, Ryan Law

Ata përballen me akuza të “bashkëpunimit me një vend të huaj ose me elementë të jashtëm për të rrezikuar sigurinë kombëtare”.

Ligji i sigurisë kombëtare u vendos pas protestave masive në vitin 2019.

Çfarë ka ndodhur?

Law dhe Cheung u arrestuan së bashku me tre drejtues të tjerë të “Apple Daily”. Përkatësisht shefi i Operacioneve Chow Tat-kuen, zëvendës kryeredaktori Chan Puiman dhe kryeredaktori Ekzekutiv, Cheung Chi-wai, u lanë të lirë me kusht në pritje të një hetimi më të detajuar.

CEO dhe Drejtori Ekzekutiv i “Next Digital”, Cheung Kim-hung

Më shumë se 500 oficerë policie bastisën redaksinë e botimit të enjten. Ata sekuestruan kompjuterë, disqe dhe bllok shënimesh.

Nga ana tjetër autoritetet ngrinë pasuritë e gazetës me vlerë 2.3 milionë dollarë (1.94 milion €).

Reagimi i opinionit publik

Të premten e 18 qershorit, gazeta me frymë demokratike “Apple Daily”, rriti shtypjet e saj me 500 mijë kopje.

Banorët e Hong Kong-ut treguan mbështetje për lirinë e shtypit “të shtypur”.

Përpara seancës, turmat ishin mbledhur jashtë gjykatës për të shprehur mbështetjen e tyre për botimin. Disa njerëz mbanin çadra të verdha ose kishin veshur bluza “Apple Daily” që shkruanin: “Pa frikë, luftoni”.

“Apple Daily”, nën pronarin e saj të burgosur Jimmy Lai, ka qenë kritik ndaj rritjes së kontrollit të Kinës mbi Hong Kong-un.

Gazeta ka qenë gjithashtu e qartë në mbështetjen e saj për lëvizjen pro-demokracisë të rajonit gjysmë-autonom, e cila e ka vënë atë në kundërshtim me Pekinin.

Por kjo është hera e parë që artikujt e botuar nga një media e Hong Kong-ut kanë prekur ligjin e diskutueshëm të sigurisë që u vendos nga Kina vitin e kaluar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore