Lajme

Holanda, bllokim të pjesshëm pas rritjes së infektimeve


Shfaqja e variantit të ri të coronavirus-it dhe shqetësimet prej rritjes së rasteve e kanë shtyrë Holandën të ndërmarri kufizime më të ashpra.

Për tre javët e ardhshme, mjediset e mikpritjes dhe ato kulturore si kafenetë, muzetë dhe kinematë, duhet të mbyllen në orën 17:00 me orën lokale.

Kjo pasi autoritetet i konsiderojnë masat kritike për të mbrojtur spitalet e vendit që të mos mbingarkohen, tregon agjencia e lajmeve “BBC”.

Afro 61 persona janë duke u testuar për variantin e ri në vend.

Të gjithë të infektuarit kanë mbërritur së fundmi nga Afrika e Jugut, ku varianti Omicron u zbulua në fillim të këtij muaji.

Referuar zyrtarëve holandezë, pasagjerët rezultuan pozitivë dhe janë karantinuar në një hotel pranë aeroportit Schiphol të Amsterdam-it, teksa i nënshtrohen testeve të mëtejshme.

Nga ana tjetër, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka thënë se varianti është “shqetësues”, me provat e hershme që sugjerojnë një rrezik më të lartë të ri-infektimit.

Në mbarë botën, një sërë vendesh kanë ndaluar fluturimet me Afrikën e Jugut, ndër to edhe disa vende fqinje.

Në fillim të këtij muaji, u njoftuan nga kryeministri holandez, Mark Rutte, tre javë kufizime për dyqanet, aktivitetet sportive dhe restorantet.

Këto lëvizje kanë ardhur si pasojë e gjendjes së rënduar në vend, ku ka mungesë të shtretërve të kujdesit intensiv dhe ku po anulohen operacionet e qindra njerëz po vdesin nga COVID-i çdo javë.

Të premten e 26 nëntorit janë raportuar më shumë se 22 mijë raste të reja ditore. Kështu, rregullat e reja janë krijuar për të vënë nën kontroll shkallën rekord të infektimit, ka zbuluar korrespondenti i “BBC”-së.

Qeveria holandeze ka publikuar një listë të plotë të kufizimeve, ku thuhet se dyqanet jo thelbësore duhet të mbyllen midis orës 17:00 dhe 05:00 sipas kohës lokale.

Kurse supermarketet duhet të jenë të mbyllura nga ora 20:00 deri në orën 05:00.

Ndërkaq, në shtëpitë e njerëzve lejohen maksimumi katër të ftuar të moshës mbi 13 vjeç dhe më shumë njerëz do të duhet të punojnë nga shtëpia.

Megjithatë, gjatë kësaj kohe të bllokimit, çerdhet, shkollat ​​dhe universitetet në të gjithë vendin do të qëndrojnë të hapura.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore