Lajme

Historia e rikthimit të peshkut Tequila


Peshku Tequila është kthyer sërish në habitat pasi ishte shpallur i zhdukur.

Kështu ka bërë me dije anëtari i kopshtit zoologjik Chester, Gerardo Garcia, tregon agjencia e lajmeve “BBC”.

Teksa ka rezultuar “i zhdukur” që në vitin 2003, peshku i vogël është rikthyer në lumenjtë e Meksikës jugperëndimore.

Kthimi i peshkut po shihet si një shembull se si mund të shpëtohen ekosistemet dhe speciet e ujërave të ëmbla.

Sipas Unionit Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës (IUCN), habitatet e ujërave të ëmbla janë nga më të kërcënuarat në Tokë, me speciet e varura nga ujërat e ëmbla “që zhduken më shpejt se kafshët e egra tokësore ose detare”.

Kërcënimet vazhdojnë të ushtrojnë presion, jo vetëm mbi kafshët e egra, por edhe për furnizimin me ujë të pastër dhe ushqim që varen nga lumenjtë dhe liqenet.

Ndërkaq, komuniteti lokal me njerëzit që jetojnë afër vendit të çlirimit të peshkut në Jalisco, po luajnë një rol kyç, duke monitoruar cilësinë e ujit të lumenjve dhe liqeneve.

Profesor Omar Dominguez, nga Universiteti Michoacana i Meksikës, ka thënë se “nuk mund ta kishim bërë këtë pa banorët vendas… ata janë ata që bëjnë konservimin afatgjatë”.

“Dhe kjo është hera e parë që një specie e zhdukur peshku është rifutur me sukses në Meksikë, kështu që është një pikë referimi e vërtetë për ruajtje”, ka thënë ai.

Për profesorin, ky “është një projekt që tanimë ka vendosur një precedent të rëndësishëm për ruajtjen e ardhshme të llojeve të shumta të peshqve në vend që janë të kërcënuar apo edhe të zhdukur në natyrë, por që rrallë tërheqin vëmendjen tonë”.

Është një projekt midis konservatorëve në Meksikë dhe në Mbretërinë e Bashkuar që ka dekada të tëra.

Në vitin 1998, në fillim të projektit, shkencëtarët në Njësinë e Biologjisë Ujore të Universitetit Michoacana të Meksikës morën pesë peshq nga kopshti zoologjik Chester.

Këta 10 peshq themeluan një koloni të re në laboratorin e universiteteve, të cilën ekspertët atje e ruajtën dhe e zgjeruan gjatë 15 viteve të ardhshme.

Në përgatitje për rikthimin, 40 meshkuj dhe 40 femra nga kolonia u lëshuan në pellgje të mëdha artificiale në universitet, duke trajnuar në thelb peshqit e rritur në robëri në një mjedis të egër me burime ushqimore të luhatshme, konkurrentë të mundshëm, parazitë dhe grabitqarë.

Pas katër vjetësh, kjo popullsi u vlerësua të ishte rritur në 10 mijë dhe u bë burim për rikthimin në natyrë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore