Kosova

Hill: Prishtina e Beogradi t’i krijojnë vetë marrëdhëniet miqësore, këtë s’mund ta bëjë ShBA-ja dhe BE-ja


Ambasadori Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill, në një intervistë për mediat serbe Fonet dhe Jugpress ka theksuar se tani është koha për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

“E dini, as BE-ja dhe as SHBA-ja nuk mund të krijojnë marrëdhënie miqësore ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, Prishtina dhe Beogradi duhet ta bëjnë vetë dhe ne mund të ndihmojmë”, theksoi ai.

Hill qëndroi tri ditë në jug të Serbisë dhe foli me kryetarët e komunave të Bujanocit dhe Preshevës dhe të rinjtë e atyre komunave.

Ai shprehet shumë optimist për marrëveshjen e arritur në Ohër dhe tregon se bashkëbiseduesve në këtë pjesë të Serbisë u ka thënë se e ardhmja e tyre është në Serbi.

“Unë mendoj se ata e kuptuan këtë. Gjithashtu bëra të ditur se SHBA-të po i kushtojnë vëmendje dhe e kuptojnë se me çfarë po përballen dhe se ne do të bashkëpunojmë dhe punojmë së bashku për të zgjidhur të gjitha problemet”, tha Hill.

Sipas tij, të gjithë duhet të bëjnë përpjekje që kufijtë ekzistues të bëhen kufij në kuptimin modern, që do të thotë të mos i ndajnë njerëzit, por t’i bashkojnë, sidomos në aspektin e biznesit.

“Tani jemi në pragun e mundësisë për normalizim dhe ky është mesazhi i vërtetë i Marrëveshjes së Ohrit”, shtoi ai.

Diplomati amerikan beson se qytetarët i shikojnë gjërat në një mënyrë shumë më ndryshe se politikanët, pasi ata janë të interesuar në radhë të parë për jetën e përditshme, para së gjithash për jetën e fëmijëve të tyre.

“Është e rëndësishme që gjithmonë të fokusohemi në çështjet themelore, të cilat janë çështjet ekonomike. Ata monitorojnë nga afër zhvillimet ekonomike dhe në shumë raste mund të vendosin të largohen nga vendet ku jetojnë”.

“Ky rajon është i rëndësishëm dhe jo vetëm SHBA-të kujdesen për të, por duhet të jetë i rëndësishëm edhe për Beogradin dhe njerëzit nga këtu duhet të jenë në komunikim të mirë me autoritetet e tyre në Beograd, për të zgjidhur çështjet e tyre dhe ne do të monitorojmë dhe ofrojmë ndihmë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore