Lajme

Hill i kërkon Kosovës t’i shmangë “surprizat e panevojshme” dhe “vendimet e njëanshme” në dialog


Christopher Hill

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Serbi, Christopher Hill, deklaroi se vendimi i Kosovës për përjashtimin e dinarit nga transaksionet e pagesave është “surprizë e panevojshme” dhe “vendim i njëanshëm” që duhen të shmangen në këtë fazë të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi nën kujdesin e Bashkimit Evropian (BE).

“Në këtë fazë të dialogut duhet të shmangen suprizat e panevojshme dhe veprimet e njëanshme. Më e rëndësishmja tani është formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, por edhe që Kosovës t’i jepet qasje në institucionet ndërkombëtare. Duhet të shmangen temat që s’janë me interes të përbashkët”, theksoi ai, transmetoi rrjeti ballkanik i lajmeve “N1” të hënën.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në një konferencë për media të enjten, njoftoi se në takimin me Ndihmës-Sekretarin amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, ngriti çështjen e “ndalimit të pagesave dhe transaksioneve” në Kosovë, duke iu referuar ndalimit të dinarit serb, dhe pretendoi për “ndalimin e shitjes së mallrave serbe” në Kosovë.

Vuçiç i cilësoi “sulme histerike ndaj popullit serb në Kosovë” zhvillimet e fundit, raportoi agjencia serbe e lajmeve “Tanjug” duke cituar fjalimin e presidentit serb para gazetarëve pas konferencës “Plani i Rritjes së Ballkanit Perëndimor dhe Integrimi më i Shpejtë në BE” në Shkup të Maqedonisë së Veriut, ndërsa paralajmëroi se do të vazhdojë konsultimet për këtë çështje.

Rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) mbi operacionet me para të gatshme që do të hyjë në fuqi më 1 shkurt, ku specifikohet se valuta e vetme që lejohet për kryerjen e pagesave dhe transaksioneve është euro, shkaktoi reagimin e menjëhershëm të zyrtarëve serbë, duke propaganduar se përjashtimi i dinarit do të thotë “dëbim i serbëve” nga Kosova.

Në zonat e banuara me shumicë serbe në Kosovë, përveç valutës euro, deri tani është përdorur edhe dinari. Në komunat në veri të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – çmimet nëpër dyqane janë shënuar me dinarë. Viteve të fundit është praktikuar edhe importimi i dinarëve nga Serbia, por nga 1 shkurti kjo praktikë pritet të ndalet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore