Lajme

Hienat në kopshtin zoologjik të Denver-it, të parat në botë me COVID-19


Në kopshtin zoologjik të Denver-it, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dy hiena kanë rezultuar pozitive me COVID-19, duke shënuar rastet e para të konfirmuara midis kafshëve në mbarë botën.

Referuar Laboratorit Kombëtar të Shërbimeve Veterinare (NVSL), rastet janë zbuluar pas marrjes së mostrave nga një shumëllojshmëri kafshësh të kopshtit zoologjik, të cilat u testuan pasi disa nga luanët e tij u sëmurën.

Ndërkaq, shkruan e përditshmja “The Guardian”, mostrat e hienave rezultuan pozitive në një laborator në Universitetin Shtetëror të Kolorados dhe gjithashtu u konfirmuan nga laboratori kombëtar.

Përveç dy hienave, edhe 11 luanë dhe dy tigra rezultuan pozitivë.

“Hienat janë kafshë shumë të forta dhe elastike, të cilat dihet se janë shumë tolerante ndaj antraksit, tërbimit dhe sëmundjes. Përndryshe, janë të shëndetshme dhe priten të shërohen plotësisht”, nga një deklaratë e kopshtit zoologjik.

“The Guardian” tregon se sipas zyrtarëve të kopshtit zoologjik, dy hienat kishin simptoma të buta, duke përfshirë letargji të lehtë, rrjedhje nga hundët dhe kollë.

Kurse kafshët e tjera që rezultuan pozitive në javët e fundit ose ishin shëruar plotësisht ose ishin në rrugën e një rikuperimi të plotë.

“Tanimë e dimë se shumë specie të tjera mund të jenë të ndjeshme ndaj COVID-19 bazuar në raporte të shumta dhe vazhdojmë të përdorim nivelin më të lartë të kujdesit dhe masave paraprake kur punojmë me tre mijë kafshët tona”, ka thënë kopshti zoologjik.

Departamenti Amerikan i Bujqësisë, i cili mbikëqyr NVSL-në, ka treguar se infeksionet janë raportuar në lloje të shumta në mbarë botën, kryesisht në kafshë që kishin kontakt të ngushtë me një person të infektuar me COVID-19.

Dhe se shkencëtarët ende po mësonin për infeksionet e coronavirus-it te kafshët, bazuar në informacionin e disponueshëm.

Gjithashtu departamenti ka theksuar se njerëzit e infektuar duhet të shmangin kontaktin e ngushtë me kafshët, duke përfshirë kafshët shtëpiake, për t’i mbrojtur ato nga infektimi i mundshëm.

Lidhur me NVSL-në, ai shërben si një laborator ndërkombëtar, duke ofruar testime për sëmundjet e kafshëve, si dhe duke ofruar udhëzime mbi teknikat diagnostikuese.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore