Kosova

Heqja e taksës në rrugën e kombit, diskutim i Kosovës dhe Shqipërisë


Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, dhe ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, kanë pritur në takim ministrin e Turizmit të Shqipërisë, Blendi Klosi, me të cilin kanë biseduar për promovimin e turizmit në të dy vendet.

Bislimi në një konferencë të përbashkët për media ka theksuar kërkesën e gjetjes së zgjidhjes për taksën që turistët paguajnë në Shqipëri, në rrugën e kombit.

“Rruga nga Kosova deri në destinacionin e Shqipërisë dhe anasjelltas të jetë sa më e lehtësuar, me sa më pak kontrolle e barriera, përfshirë këtu edhe kërkesën tonë që të gjendet një zgjidhje për eliminimin e detyrimit të përkohshëm për të paguar për tunelin në Kalimash, e cila po shkakton vonesa për turistët”, është shprehur Bislimi.

Në anën tjetër, Ministri i Turizmit dhe Mjedisit në Shqipëri, Blendi Klosi, ka thënë se në këtë takim diskutuan për problematikat e dy institucioneve sa i përket përgatitjes së masave për pushimet që do t’i bëjnë shqiptarët e Kosovës në Shqipëri.

“Për dy qeveritë është vendimmarrje e përbashkët sepse turizmi  nuk është vetëm një kënaqësi por është industri shumë e rëndësishme e dy vendeve tona. Prandaj do të bëjmë gjithçka që është e mundur që oferta turistike e përbashkëta të jetë realitet. Deti është i gjithë shqiptarëve. Kemi shumë punë për të bërë por i drejtohemi zyrtarisht qeverive tona t’i nxisim të shtojnë investime”, ka thënë Klosi.

Po ashtu, Klosi ka thënë se bukuritë e pashfrytëzuara duhet të jenë atraksion turistik.

“Me Liburnin diskutuam që parqet tona kombëtare në të dy anët e kufirit të jenë me rrugë e shtigje dhe lëvizje të lirë. Në kuadër të bashkëpunimit dua një Shqipëri dhe Kosovë të pastër dhe do të marrim aksione pastrimi”, shtoi ai.

Ndërkaq, Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, tha se përveç turizmit kanë diskutuar edhe për trajtimin e mbeturinave, të cilat sipas tij shkaktojnë imazh jo të mirë për turistët.

“Do të kemi të bëjmë me grupe të përbashkëta që do të bashkëpunojmë rreth çështjeve kombëtare. Prandaj në bashkëpunimet tona ne do të krijojmë grupe punuese dhe do të realizojmë synimet e memorandumeve të nënshkruara ku gjatë muajit qershor do të ketë të përfshirë aktivistë të ndryshëm në aktivitetin për pastrimin e liqenit të Vërmicës”, ka potencuar Aliu.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore