Kosova

Haziri – Kurtit, Osmanit dhe Konjufcës: Kosova do iu kujtojë si dështuesit e saj


Lutfi Haziri

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka thënë se Kosova do t’i kujtojë kryeministrin Albin Kurti, presidenten Vjosa Osmani, dhe kryeparlamentarin, Glauk Konjufca, si “dështuesit” të saj.

Këto komente, Haziri i ka bërë përmes një postimi në Facebook, pas letrës që tre krerët e shtetit i kanë dërguar raportueses për Kosovën në Këshillin e Evropës, Dora Bakoyannis, ku janë zotuar se do t’i zbatojnë të gjitha masat që i kërkohen Kosovës – përfshirë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe – pasi të bëhet pjesë e Këshillit të Evropës.

“Trojka e Republikës  Kurti, Osmani-Sadriu dhe Konjufca, po e kthejnë mbikëqyrjen Evropiane mbi Republikën e Kosovës për shkak dështimeve dhe mos-mbajtjes së fjalës me partnerët”, ka shkruar Haziri.

Ndërsa, duke folur për raportin që Bakoyannis e ka përpiluar më 20 mars, për anëtarësimin e Kosovës në KiE, ku në pikën 17.1, thuhet se Kosova duhet të pranohet në këtë organizatë me emrin “Kosovo” pa parafjalën Republikë, Haziri ka theksuar se është një “gur” në qafë të vendit.

“Një pranim pa Republikë dhe veç si Kosovë dhe me një gur në qafën e saj, si kushtëzim në aspiratën euroatlantike”, shtoi.

Nënkryetari i LDK-së iu tha krerëve të shtetit se “jeni detyruar që zotimet me shkrim e nënshkrim t’i jepni sepse askush nuk ju beson më. Dhe për çka? Për ta dëmtuar Republikën”.

“Republika nuk ua ka pasur borxh. Kosova do t’ju kujtojë si dështuesit e saj!”, përfundoi ai.

Osmani, Kurti e Konjufca me strategji të dyfishtë – para ndërkombëtarëve zotohen për Asociacionin, para elektoratit e mohojnë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore