Lajme

Haziri ironizon me Alban Hysenin: Beson se ekziston gjysmë-shtatzënia – ose je ose nuk je


Lutfi Haziri dhe Alban Hyseni

Ish-kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, ka adresuar kritika të shumta për kryetarin aktual të qytetit, Alban Hysenin, duke e akuzuar këtë të fundit se nuk e ka përfunduar ende asnjë projekt që e kishte premtuar gjatë fushatës parazgjedhore dy vite më parë.

“Nuk pres që për këto dy vite do realizohet ndonjë projekt. I vetmi njeri në Gjilan që beson që ekziston gjysmë-shtatzënia është Alban Hyseni, askush në botë nuk beson që ka gjysmë-shtatëzani, ose je ose nuk je. Të gjitha vendimet e tij janë gjysmë-shtatzëne”, tha Haziri gjatë një interviste për medium lokal në Gjilan, Radio Star.

“Cili është projekti që e identifikon Lëvizjen Vetëvendosje në Gjlilan?”, ka pyetur Haziri, teksa ka theksuar se kryeqendra e Anamoravës është penalizuar sa i përket investimeve nga Qeveria aktuale.

Gjatë kësaj interviste, nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës e ka mohuar se e ka lënë komunën në borxhe sa ishte kryetar, siç pretendon vazhdimisht Hyseni.

“Gjilani nuk e ka asnjë obligim, ndërsa kryetari flet për borxhe që janë kontingjente, ka stagnuar shumë në përfundimin e projekteve. Autostrada është ndalë, ka mungesë të vullnetit politik për ta përfunduar këtë projekt”, shtoi tutje ai.

Po ashtu, Haziri ka adresuar kritika ndaj kryetarit Hyseni se ka humbur 800 mijë euro që ia kishte lënë për renovimin e stadiumit të qytetit.

“Ne i kemi lënë 800 mijë euro para rezervë për stadium. Në marrëveshjen me operatorin që e ka ndërprerë Hyseni, ato para humben. Në publik ka thënë se e ka ndërprerë njëanshëm projektin. Por, në dokumente nuk del kështu”, vuri në pah ai.

Haziri është pyetur nëse do jetë prapë kandidat për kryetar të Gjilanit, por nuk ka qenë i qartë në përgjigjen e tij.

“Unë jam kryetari i LDK-së në Gjilan. Unë gjithmonë kam punuar me konsensuse, vet në vitin 2000 kam ardhur si pjesë e konsensusit. Kam qenë katër herë kryetar, unë e kam shkruar historinë”, potencoi Haziri.

Ndryshe, Haziri është një nga figurat më të njohura dhe më peshë në LDK, dhe po ashtu ai mban edhe postin e nënkryetarit të partisë dhe ka qenë edhe kryetari i komunës së Gjilanit për katër mandate.

Në zgjidhjet lokale të vitit 2021, Alban Hyseni kishte marrë besimin e 21 mijë e 374 gjilanasve, duke e lënë pas kundër kandidatin e tij nga LDK, Lutfi Hazirin, për 859 vota më shumë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore