Lajme

Haxhiu sërish kërkon të trajtohet me urgjencë tërheqja nga Trusti


Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, ka kërkuar nga deputetët e Kuvendit ta trajtojnë me urgjencë kërkesën për tërheqjen nga Trusti.

Sipas tij, kjo është zgjidhje për t’i ndihmuar qytetarët ta kalojnë këtë krizë ekonomike.

“Më 9 mars kemi marrë një iniciativë për ndryshimin e ligjit që t’i jepet mundësi qytetarëve për tërheqjen e një pjese të Trustit. Për fat të keq, Qeveria e ka neglizhuar këtë kërkesë të qytetarëve dhe ne ditën e fundit ka dhënë përgjigje negative, por i ka hapur rrugë Kuvendit të vendosë për këtë projektligj”.

“Sot kam një apel dhe një kërkesë për të gjitha komisionet dhe kryesinë që këtë projektligj ta trajtojë dhe procedojë me urgjencë. Që në seancën tjetër të kemi mundësinë ta miratojmë”, ka thënë Haxhiu të enjten në seancën e Kuvendit”.

Kuvendi i Kosovës.

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur të enjten mbrëma, ka bërë të ditur se nuk e përkrah nismën legjislative të Kuvendit të Kosovës për plotësim ndryshimin e Ligjit për Fondet Personale, që ka të bëjë me tërheqjen e një sasie të caktuar të mjeteve nga Trusti.

Sipas Qeverisë, tërheqja e mjeteve nga Trusti nuk i ndihmon kategoritë në nevojë, pasi sipas arsyetimit, “edhe vet përqindja e fondit personal të tyre është e ulët”.

Partia Demokratike e Kosovës  – si partia më e madhe opozitare kishte propozuar tërheqjen deri në 30 për qind të kursimeve pensionale.

Deputeti i kësaj partie, Bekim Haxhiu, në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së më 9 mars ka dorëzuar në Kuvend Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Fondin e Kursimeve Pensionale, i cili do të mundësonte tërheqjen e këtyre mjeteve.

Sipas propozimit të PDK-së, kontributpaguesit që kanë më pak se 10 mijë euro kursime pensionale kërkohet që të kenë të drejtën e tërheqjes së 30 për qind të mjeteve.

Ata që kanë deri 20 mijë euro – 25 për qind, nga 20 mijë deri 30 mijë – 20 për qind.

Për kontributpaguesit që kanë kursime pensionale në shumën prej 30 mijë eurosh – 15 për qind dhe ata mbi 40 mijë euro – 10 për qind të shumës.

Një tërheqje e ngjashme deri në 10 për qind është bërë në vitin 2020, pas përkeqësimit të gjendjes financiare të familjeve, për shkak të pandemisë COVID-19.

Nga Trusti ishin tërhequr afro 200 milionë euro nga mbi 420 mijë kontributpagues.

Tërheqja ishte bërë pas miratimit të Ligjit për rimëkëmbjen ekonomike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore