Lajme

Haxhiu: Qeveria është vënë në mbrojtje të Radojçiçit dhe Vuçiçit


Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, ka thënë se Qeveria e Kosovës është vënë në mbrojte të kriminelit Milan Radojiçiç dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

“Nën urdhrat e Kurtit me direktiva të Mihajlovskes, krejt fëmijët e UDB-shave dhe jugonostaligjikët të mobilizuar me statuse kundër protestës së veteranëve të UÇK-së. Fali o Zot se nuk po e dinë çfarë po bëjnë , janë vënë në mbrojtje të kumbarisë së fshehtë me Radojçiçin e Vuçiçin kundër qytetarëve, kundër veteranëve, kundër UÇK-së”, ka shkruar ai në Facebook.

Sipas Haxhiut, biseda e shefes së grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila me Radojiçiçin, ua shpërfaqi saktë se “kush janë këta matrapazë” që po duan ta izolojnë e sanksionojnë Kosovën dhe ta dëmtojnë ardhmërinë e shtetit.

Ndryshe të shtunën veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë protestuar kundër Qeverisë së Kosovës, pasi që me miratimin e Ligjit për Pagën Minimale, të njëjtit nuk u përfshinë.

Në këtë protestë – në të cilën ka pasur një numër të konsiderueshëm të qytetarëve – janë dëgjuar thirrje kundër Qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti, madje kanë kërkuar dorëheqjen e saj.

Përveç veteranëve, ka pjesëmarrje të konsiderueshme të qytetarëve të tjerë, si dhe të përfaqësuesve të partive politike opozitare.

Kjo protestë, fillimisht është thirrur nga shoqëria civile, që është përkrahur nga Organizata e Veteranëve të UÇK-së, me qëllim të kundërshtimit të “koordinimit të qeverisë më Milan Radojiçiç-in” – pas publikimit të audio-incizimeve ku dëgjohet kryeshefja e deputetëve të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, duke bashkërenduar politikat shtetërore me kriminelin dhe terroristin Radojiçiç.

Përveç kësaj, arsye tjetër për të protestuar kanë thënë se është edhe “kundër shkeljes së të drejtave të luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK)”, kjo pasi që mazhoranca në seancën e së enjtes miratoi Ligjin për Pagën Minimale, në të cilin u lanë jashtë veteranët e UÇK-së.

Në protestë janë parë flamuj të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, flamuj kombëtar, të Kosovës, si dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore