Lajme

Haxhiu për krimet e Serbisë në Kosovë: Prokuroria në krye me Lumezin s’kanë pasur vullnet t’i trajtojnë


Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e ka konsideruar si lajm të mirë kërkesën për lëshimin e urdhërarrestit ndërkombëtar për kriminelët e Masakrës së Reçakut.

Përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, Haxhiu ka thënë se qeverisjet e kaluara në krye me ish kryeprokurorin Aleksandër Lumezi, “nuk kanë pasur vullnet e as interes për trajtimin serioz të këtyre krimeve ndaj popullit tonë”.

“A duhet të japin përgjegjësi për gjithë këtë mosveprim?”, ka shkruar Haxhiu.

Ajo ka kërkuar përgjegjësi edhe nga Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK).

 

“A duhet të japin përgjegjësi KPK që ende edhe përkundër faktit që kemi shtuar buxhetin që më shumë se 16 muaj, nuk është plotësuar me prokurorë e bashkëpunëtorë Departamenti për krime lufte në kuadër të PSRK?”.

“A ka përgjigje sistemi se pse nuk po zbatohen dispozitat për gjykimin në mungesë të kriminelëve të luftës edhe përkundër që kemi hequr pengesat?”.

Ministrja kritika ka pasur edhe ndaj misioneve ndërkombëtare në Kosovë.

“Është tejet e rëndë që misionet e instaluara në Kosovë, UNMIK e EULEX sikurse edhe sistemi jonë i drejtësisë nuk kanë bërë sa duhet në drejtim të hetimit dhe gjykimit të shumë krimineleve të luftës me qëllim që të sjellim drejtësi për qindra masakra në Kosovë sikurse edhe për Masakrën e Reçakut të cilën e rikujtuam dje”.

Sipas Haxhiut, “shumë më tepër do të mund të bëhej menjëherë pas luftës, sidomos pas shpalljes së pavarësisë, e në veçanti nga 2018 e këtej”.

“Institucionet tona jo vetëm që janë themeluar nga gjaku i të rënëve dëshmorë edhe martirë, por e kanë obligim themeltar të sjellin drejtësi për secilin krim të kryer nga shteti i Serbisë”.

Me 15 janar të vitit 1999 në fshatin Reçak, rreth 30 kilometra larg Prishtinës, forcat serbe vranë 45 civilë shqiptarë civilë.

Numri më i madh i viktimave u gjet në Kodrën e Bebushit, ndërsa të vrarë kishte edhe në pjesë të tjera të fshatit.

Në luftën e zhvilluar në Kosovë më 1998/99, janë vrarë mbi 13 mijë persona dhe mijëra të tjerë janë zhdukur.

Mbi 1 mijë e 600 persona vazhdojnë të jenë ende të pagjetur – pjesa më e madhe e tyre shqiptarë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore