Lajme

Haxhiu pas vendimit të Kushtetueses: Ka shumë punë përpara për Vettingun, do t’i kalojmë pengesat


Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese i cili ka kaluar shumicën e amendamenteve të propozuara kushtetuese për procesin e Vettingut, kërkesë kjo që ishte bërë nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, është shprehur se tani ka shumë punë përpara.

Përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, Haxhiu ka thënë se ndonëse vendim i vonuar është jetik.

“Ndonëse për më shumë se 9 muaj vonesë, Gjykata konfirmoi çfarë është përcaktuar për këtë proces jetik për shtetin e së drejtës”.

Ajo tutje është shprehur e bindur se do t’i kalojnë pengesat që u dalin përpara.

“Ka shumë punë përpara. Ne jemi të përcaktuar që me vullnet dhe përkushtim të tejkalojmë secilën pengesë që do të na dalë”.

“Në përputhje me zotimet tona, me vullnetin e shprehur qytetar do të bëjmë reformën e thellë në atë çka qytetarët e kërkojnë më së shumti: Drejtësi”, ka shprehur Haxhiu.

Gjykata Kushtetuese e ka kaluar shumicën e amendamenteve të propozuara kushtetuese për procesin e Vettingut, kërkesë kjo që ishte bërë nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

Lajmin e ka bërë të ditur Kushtetuesja përmes një komunikate për media, ku thuhet se tri nga katër amendamente nuk pakësojnë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutën e Kosovës.

Aktgjykimi fillimisht ka sqaruar se, “amendamentet e propozuara kushtetuese të referuara në Gjykatë nga Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe të aprovuara nga Komisioni ad hoc për Vetingun në sistemin e drejtësisë, i themeluar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, ndërlidhen me (i) procesin kalimtar/të përkohshëm të kontrollit të integritetit të anëtarëve të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Këshillit Prokurorial të Kosovës, kryetarëve të të gjitha gjykatave, Kryeprokurorit të Shtetit dhe të gjithë kryeprokurorëve si dhe të kandidatëve për këto pozita, përkatësisht procesin e vetingut në sistemin e drejtësisë”.

Vettingu nuk ka kaluar në dy pika në atë se do ta vlerësonte çështjen e “mosrespektimit të rëndë të detyrave” dhe “integritetit të cenueshëm” të personave që i nënshtrohen vettingut.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore