Lajme

Vettingu kalon në shumicë testin – Kushtetuesja e vlerëson të pranueshme kërkesën e Konjufcës


Gjykata Kushtetuese.

Gjykata Kushtetuese e ka kaluar shumicën e amendamenteve të propozuara kushtetuese për procesin e Vettingut, kërkesë kjo që ishte bërë nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

Lajmin e ka bërë të ditur Kushtetuesja përmes një komunikate për media, ku thuhet se tri nga katër amendamente nuk pakësojnë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutën e Kosovës.

Aktgjykimi fillimisht ka sqaruar se, “amendamentet e propozuara kushtetuese të referuara në Gjykatë nga Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe të aprovuara nga Komisioni ad hoc për Vetingun në sistemin e drejtësisë, i themeluar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, ndërlidhen me (i) procesin kalimtar/të përkohshëm të kontrollit të integritetit të anëtarëve të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Këshillit Prokurorial të Kosovës, kryetarëve të të gjitha gjykatave, Kryeprokurorit të Shtetit dhe të gjithë kryeprokurorëve si dhe të kandidatëve për këto pozita, përkatësisht procesin e vetingut në sistemin e drejtësisë”.

Vettingu nuk ka kaluar në dy pika në atë se do ta vlerësonte çështjen e “mosrespektimit të rëndë të detyrave” dhe “integritetit të cenueshëm” të personave që i nënshtrohen vettingut.

Për vendimin ka reaguar zëvendësministri i Drejtësisë, Vigan Qorrolli përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’.

“Ministria e Drejtësisë shumë shpejt do të fillojë së jetësuari praktikisht këtë reformë substanciale për sistemin e drejtësisë në Republikën tonë”.

Propozimet për veting ishin dërguar në Kushtetuese nga kryetari i Kuvendit dhe 39 deputetë të tjerë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore