Lajme

Haradinaj: Veç Kurti ka arritur që xhelatin ta shndërrojë në viktimë, është shndërruar në zullumqar


Ramush Haradinaj

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se pozicionimi aktual i kryeministrit Albin Kurti në raport me pothuajse të gjitha temat që kanë të bëjnë me vendin “janë bërë barrë e rëndë për popullin”

Haradinaj përmes një postimi në rrjetin social Facebook, shkroi se “qasja e tij e gabueshme ka bërë që Komuniteti Ndërkombëtar, më me simpati ta shohë Serbinë së sa Kosovën”.

“Veç Albin Kurti ka arritur që xhelatin ta shndërrojë në viktimë”, vlerësoi kreu i AAK-së teksa shtoi se “pasojë e pozicionimit të tij të gabueshëm është edhe rikthimi me urgjencë i temës së Asociacionit dhe avantazhi i Serbisë në procesin e dialogut”.

“Në këtë rrafsh duhet parë edhe vendimin e fundit të Gjykatës së Drejtësisë të BE për përjashtimin e Kosovës nga Organizata e Rregullatorëve Evropianë të Telekomunikacionit”, shtoi ish-kryeministri.

Gjithashtu, ai e ka quajtur “hipokrizi” edhe pjesëmarrjen e kreut të ekzekutivit kosovar në Forumin Ekonomik Botëror në Davos-Klosters të Zvicrës ku parashihen takime me përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, institucioneve financiare dhe kompanive kryesore botërore.

“Ai me para të taksapaguesve shkon në Forumin Ekonomik Botëror të Davosit, gjoja për të folur për investimet e huaja në Kosovë, madje organizon edhe një Samit të Investitorëve në Cyrih, ndërsa paratë e buxhetit i ka mbyllur në bunker dhe ekonominë e ka llom. Kjo më e pakta është hipokrizi”.

“Ai jo vetëm që parat e buxhetit nuk i kthen tek qytetari, por atyre iu ka pamundësuar që në këtë kohë të rëndë ekonomike e sociale, ta marrin një pjesë nga paratë e kursyera të Trustit, që janë të tyre. Kryeministri është shndërruar në zullumqar”, përfundoi Haradinaj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore