Shqipëria

Haradinaj: Raporte “të nxehta” Shqipëri-Kosovë


Në një intervistë për mediat shqiptare, ish-kryeministri i Kosovës dhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka theksuar se raportet mes Shqipërisë dhe Kosovës zyrtare i sheh të nxehta.

Haradinaj edhe pse e konsideron kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, një vëlla – deklaron se nuk ka komunikim me kreun e Partisë Socialiste të Shqipërisë.

“Nuk kam komunikim, por kam me mjaft zyrtarë të Shqipërisë, PS, PD, LSI dhe s’i ndaj kurrë njerëzit në parti. Nuk na lidhë diçka konkrete, nuk jam më në funksione të larta”, është shprehur fillimisht ish-kryeministri Haradinaj.

Duke iu kthyer deklaratave ku kryeministrit Rama, Haradinaj i referohet si “vëllai im Edi Rama”, kreu i AAK-së sqaron se e përdor në kontekstin e një vëllai – sikurse i referohet çdo shqiptari.

Kur u pyet në lidhje me incidentin e takimit në Berlin, ish-kryeministri mohoi kategorikisht që komunikimi jo-etik të jetë përdorur, “në komunikime zyrtare me palë zyrtare”.

Sa i takon situatës së tij aktuale në politikën mes dy vendeve, Haradinaj thekson se gjendet në opozitë prej më shumë se një viti.

Kjo, sipas ish-kryeministrit, ka qenë një kohë ku nuk ka zhvilluar takime apo diskutime për ndonjë temë të hapur me kryeministrin Rama.

Haradinaj sqaron më tej se është rezervuar në komunikim me të gjitha palët, duke qenë se njihet për një qasje të respektueshme me palët edhe kur nuk pajtohet me ta.

“Detyra ime në bazë të Kushtetutës së Kosovës është që të mbroja territorin, sovranitetin dhe interesat e Kosovës”, tha ai për ABC-në ndër të tjera.

Lidhur me gjendjen në rajon, Haradinaj nënvizon se nëse hidhet gurë në rajon nuk fiton as Kosova, as Shqipëria, as interesat tona politike tona, as atyre gjeo-strategjike.

“Nuk duhet me t’i gëzohemi fatkeqësisë së njëri-tjetrit. Nëse shqiptarët i gëzohen fatkeqësisë së njëri-tjetrit është logjikë e dhimbshme”, theksoi Haradinaj në fjalën e tij.

Duke iu kthyer raporteve, ish-kryeministri kujtoi se 1.3 milionë që kanë ardhur në Shqipëri nuk i ka penguar retorika e politikës, “sepse jemi një familje”.

Për Haradinajn, Shqipëria nuk është vetëm destinacion për ne, por edhe ndjenjë.

Duke iu kthyer atyre që ish-kryeministri i konsideron si retorika politike të panevojshme, Haradinaj e konsideron dhe ardhjen e këngëtarit boshnjak Goran Bregoviç – si të tillë.

“Nuk e kuptoj përse po gabojmë, nuk besoj se duhet të ndahemi në ato që e duan dhe nuk e duan Shqipërinë. Jemi të gjithë shqiptarë”, tha në përmbyllje të intervistës Haradinaj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore