Kosova

Haradinaj: Qeveria e largoi vendin nga rruga euro-atlantike, synimi ynë është anëtarësimi në NATO


Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se Qeveria e Kosovës “ka dështuar” në tema madhore që janë jetike për vendin, derisa ka theksuar se ekzekutivi aktual ka “neglizhuar” këshillat e aleatëve, duke e ka larguar vendin nga “rruga e saj euro-atlantike”.

“Ka refuzuar termocentralin Kosova C, ka refuzuar projektin e gazsjellësit amerikan e qytetarin e ka bërë më të varfër. Në aspektin e sigurisë ka neglizhuar këshillat e aleatëve tanë, ShBA-ve në veçanti, duke e ka larguar vendin nga rruga e saj euro-atlantike dhe synimi ynë madhor, anëtarësimi në NATO”, tha Haradinaj gjatë një vizite në Gjakovë.

Por, deputeti i AAK-së ka theksuar se nëse partia e tij vije në pushtet, “do e ndihmojmë Kosovën të dalë nga kjo situatë”.

“E them me plot bindje se aleanca me partnerët e koalicionit është nevojë urgjente për Kosovën, për zhvillimin e saj ekonomik, për një Kosovë më të sigurt dhe të zhvilluar, përkrah Amerikës dhe botës demokratike”, shtoi kreu i AAK-së.

Ai ka folur edhe për zhvillimin e komunë së Gjakovës, duke potencuar se partia e tij këtij qyteti po i ofron qeverisjen shembullore.

“Kryetari Ardian Gjini me ekipin e tij i kanë dhënë shtytje të jashtëzakonshme përparimit dhe zhvillimit të këtij qyteti, pavarësisht sfidave dhe diskriminimit që i bëhet nga niveli qendror”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore