Kosova

Haradinaj për shtrenjtimin e rrymës: Avokati i Popullit duhet të reagojë


Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar sërish pas vendimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë – ZRRE, për bllok tarifat e reja.

Ai ka pyetur se si do të bëhet llogaritja e faturave të KESCO, kur nga data 9 shkurt asnjë vizitë nuk është bërë nga ekipet e tyre.

“Si do të bëhet llogaritja e faturave të KESCO nga data 9 shkurt, kur asnjë vizitë nuk është bërë me datën 8 shkurt nga ekipet e tyre (e kam fjalën për njehsorët që nuk mund të lexohen nga distanca). ZRRE për 800 kilovatët nuk specifikon se sa do të mirren nga tarifa e ulët e sa nga tarifa e lartë”.

Kreu i AAK-së, ka thënë se Avokati i Popullit duhet të vihet në fuksion pas vendimit të ZRRE-së.

“Nëse vërtetë ekziston Avokati i Popullit në funksion të popullit, do të duhej të vihej në funksion menjëherë për këtë vendim arbitrar në dëm të qytetarëve e pa kurrfarë baze ligjore”, ka shkruar Haradinaj.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë.

Kryesuesi i bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), Ymer Fejzullahu, në konferencë për media ka thënë se në muajin janar kanë vërejtur ndryshime esenciale në parashikimet që i kishin bërë, kur e kishin publikuar raportin konsultativ ku përfshihej propozimi për shtrenjtim të rrymës.

Fejzullahu, ka thënë se këto ndryshime do t’i publikojnë, ndërsa njoftoi se tarifat e reja të energjisë elektrike pritet të miratohen në mbledhjen e radhës të ZRRE-së.

“Ndryshimi esencial është që ne i kemi marrë për bazë edhe kostot aktuale të muajit janar”, tha Fejzullahu.

Sipas tij, kostot të cilat janë realizuar kanë qenë më të larta se parashikimet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore