Lajme

Haradinaj: Marrëveshja e ka njohjen, do ta ketë votën e AAK-së


Ramush Haradinaj

I bindur se plani franko-gjerman, i cili së fundmi është mishëruar në një marrëveshje të përbërë nga 11 nene, përmban njohjen e Kosovës, është shprehur kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, në një prononcim për media.

Mu për këtë arsye, ish-kryeministri i Kosovës, ka deklaruar se partia të cilën ai e drejton do të votojë pro kësaj marrëveshjeje.

“Koha është faktor kyç për Kosovën, e nëse marrëveshja arrihet brenda këtij muaji, do të mbahen edhe zgjedhjet e rregullta në Veri, ashtu siç është paraparë. Besojë që pasi ka dakordim për planin, për aneksin për implementimin, është në përfundim puna. Pra, pritet që në ditët që vijnë shumë shpejt që të arrihet dakordimi edhe për aneksin e implementimit”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj, ka thënë se nuk qëndron konstatimi se marrëveshja nuk përmban njohjen e Kosovës nga Serbia.

“Pra, Serbia, e njeh Pavarësinë e Kosovë, të drejtat si shtet i pavarur, i barabartë në bazë të kartës së OKB-së”, ka shtuar ai.

Kosova dhe Serbia të hënën e 27 shkurtit, sipas shefit të BE-së për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Josep Borrell, kanë pranuar propozimin e Bashkimit Evropian apo gjerësisht i njohur ndryshe si propozimi franko-gjerman, që tash e tutje do të quhet Marrëveshja për rrugën e normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Marrëveshja e 27 shkurtit e cila ka për qëllim normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve, në asnjërën nga 11 nenet e saj nuk parasheh njohjen e ndërsjellët mes Kosovës dhe Serbisë, por Kosovës përveç themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe i kërkohet që së bashku me Serbinë ta formalizojnë statusin e Kishave Ortodokse Serbe.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore